Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ka folur në “Opinion” për jetën e tij personale dhe mënyrën si ndërtoi gjithë pasurinë.
Ai u ndal tek një moment kur i kishte shpëtuar vdekjes. Pacolli thotë se në vitin 1979, një vonesë e avionit në Uashington bëri që ai të mos fluturonte drejt Varshavës. E kjo gjë në fakt i shpëtoi jetën, pasi ai avion u përplas duke u marrë jetën të gjithë pasagjerëve në të.
Behgjet Pacolli: Në Mars të 79-ës unë kam udhëtuar prej Mexico-s në Uashington dhe kam pasur për të marrë një aeroplan për në Varshavë. Dhe aeroplani vonohet aq shumë sa nuk arrij ta marr dhe më kujtohet atëherë kisha disa këpucë të plastikës dhe m’u djersitën këmbët aq shumë e në moment e kam parë kur është mbyllur ai gate. Insistova te një polic për të hipur sepse kisha një takim të rëndësishëm. Këtë e kanë të mirë amerikanët, për këtë unë nuk insistoj më asnjëherë. Dhe të nesërmen unë zgjohem dhe shoh gazetën se i lë gazetat nën derë dhe shoh “Aircrash over Warshaw”. E lexoj dhe shoh që është aeroplani që ka shkuar prej Uashingtonit.
-Që duhet të ishe dhe ti brenda?
Behgjet Pacolli: Që duhet të isha unë.
-Asnjë pasagjer nuk shpëtoi ë?
Behgjet Pacolli: Unë kam telefonuar, asnjë s’ka shpëtuar. Telefonoj në Varimex më kujtohet mirë dhe ajo sekretaresha më thotë më falni kush jeni, jeni vëllai i tij? Ju keni vdek dje thotë, ne ju kemi pritur në aeroport dhe avioni është rrëzuar. Na vjen keq i them, unë kam shpëtuar. Si more?! A ma jepni zonjën në telefon, kur e kam thirrur atë dhe nuk besonte.
***
Thuajse e pabesueshme, por ai thotë se ka një herë të dytë që i ka shpëtuar vdekjes. Një aksident në vitin 1980 me makinë i shkaktoi plagë të rënda, aq sa mjekët në spitalin ku e dërguan e konsideruan të vdekur.
Por, ishte një bllok ku Pacolli kishte shënuar numrat e tij të kontaktit ai që bëri “mrekullinë”.
-Në këtë kohë kur ju kishit filluar të punonit në biznes në Zvicër, pësoni një aksident shumë të rëndë.
Behgjet Pacolli: Në vitin 1980 në Ljubjanë, ishte koha kur Tito ndodhej në të njëjtin spital dhe po kalonte ditët e fundit të jetës. U përplasa para Ljubjanës dhe kam qenë pa vetëdije 28 ditë.
-28 ditë pa vetëdije?! Po pastaj keni qëndruar i veshur për një kohë të gjatë?
Behgjet Pacolli: Unë kam qenë i paralizuar për arsye se dhe fotografitë sot e tregojnë që kam një konstruksion, këto vrimat këtu janë… Kam mbajt një konstruksion metalik për me mbajt…
-Qafa të mbante peshën e kokës? Është e vërtetë që në momentin e parë të aksidentit menduan që kishit vdekur?
Behgjet Pacolli: Mua më kanë menduar për të vdekur, dhe njeriu që më ka tërhequr prej asaj kapeles ku i mbajmë të vdekurit, një mjek që ishte kryesori i spitalit të cilin drejtori i spitalit vjen vetëm 17 minuta pas momentit që jam dërguar në morg. Vjen e thotë ku është ky pacient? Kur më heqin xhaketën e gjakosur, më bie blloku i numrave të telefonit. Ajo vajza e hap bllokun dhe i bien sytë te Mahmut Bakalli.
-I cili ishte anëtar i Byrosë politike të Jugosllavisë…
Behgjet Pacolli: I njohur. Ajo e merr në telefon Bakallin dhe është shumë interesant që thirr pikërisht këtë numër, se aty kanë qenë disa numra. E thërret numrin e shtëpisë, aty lajmërohet drejtpërdrejtë Mahmuti dhe ai thotë si është e mundur. Ajo i thotë që Behgjeti është këtu dhe është në gjendje të vështirë. Bakalli thërret homologun e tij, ai drejtorin e spitalit dhe ky i fundit doktorin e zemrës. Ky vjen aty dhe në momentin e parë që ma heqin çarçafin e bardhë dhe kam filluar të derdh gjak nga goja. Ai e bën një bypass në mënyrën më primitive, me një pompë e pret venën dhe bën të mundur që gjaku të shkojë në tru. Për arsye se zemra dhe organet e tjera këtej kanë qenë të bllokuara. Aty fillon çdo gjë të funksionojë mirë, po ata nuk e dinin se unë isha i paralizuar. Pas 4 muajve ata e kuptuan se unë nuk mund të lëvizja dhe më vunë atë konstruksionin.