A do marrë fund kriza? Kurti dhe Abdixhiku takohen nesër

3 August 2026, 17:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A do marrë fund kriza? Kurti dhe Abdixhiku takohen nesër
Kurti dhe Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë nesër në 4 gusht një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa konfirmoi se ky takim do të zhvillohet në orën 18:00.

“Po, nesër në orën 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa, transmeton Klan Kosova.

Më herët gjatë ditës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njoftuan se kanë refuzuar ftesën e Kurtit, ndërsa LDK-ja nuk kishte bërë të ditur nëse do t’i përgjigjej pozitivisht.

Deri më tani, LVV ka siguruar votat për formimin e qeverisë, por jo edhe numrin e kërkuar për zgjedhjen e presidentit të vendit. Për këtë arsye, një marrëveshje me LDK-në shihet si e rëndësishme për sigurimin e kuorumit prej 80 deputetësh të nevojshëm për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Gjatë muajit korrik u raportua për negociata ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, por ato u ndërprenë për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, të cilat kulmuan me mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm dhe rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut në krye të partisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë kësaj jave pritet të qartësohet nëse do të arrihet një marrëveshje politike me LDK-në, ndërsa kjo e fundit ka shprehur gatishmëri që çështjet parimore të diskutohen dhe të mbyllen brenda një afati të shkurtër.

Të enjten tashmë është e caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit dhe mbetet të shihet nëse bisedimet do të kenë rezultat e më pas zgjedhjen e presidentit e formimin e qeverisë.


Video