Një 16-vjeçare humbi tragjikisht jetën pasi u sulmua nga peshkaqeni teksa notonte në një lumë në Australinë Perëndimore. Ajo u shpall e vdekur pasi u nxor nga ujërat e lumit Swan, në Perth.
Sipas asaj që shkruan BBC, adoleshentja besohet se po lëvizte me motor uji bashkë me miqtë e saj në lumë, kur ndodhi ngjarja. Inspektori i policisë Paul Robinson tha se me gjasë vajza mund të jetë hedhur në ujë për të notuar me delfinët që ishin parë aty pranë.
Ekspertë të peshkimit thane se është diçka e pazakontë që të gjenden peshkaqenë në atë anë të lumit. Ky besohet të jetë sulmi i parë me pasoja fatale në lumin Swan, që prej Janarit të vitit 1923, ku mbeti i vrarë një djalë 13-vjeçar. Australia regjistron përafërsisht 20 sulme peshkaqenësh në vit, pjesa më e madhe në Uellsin e Ri Jugor dhe Australinë Perëndimore.
Në 2021 pati 2 sulme fatale peshkaqenësh, ndërsa në 2020-n, 7 të tillë.
Historikisht, shkruan BBC, vdekja nga kafshimi i peshkaqenit nuk është diçka e zakonshme. Nga të dhënat e më shumë se një shekulli, shkalla e vdekshmërisë nga sulmet e peshkaqenëve në Australi është 0.9, më pak se një person në vit.