Presidenti amerikan Joe Biden tha këtë të shtunë se kishte kërkuar nga Pentagoni që prej ditës së mërkurë që ta rrëzonin balonën spiune kineze, sa më parë të ishte e mundur dhe përshëndeti ata që ndërmorën operacionin për rrëzimin e saj.
“E rrëzuam me sukses dhe dua të komplimentoj pilotët tanë që ndërmorën këtë operacion”, tha Biden për gazetarët.
Një avion luftarak amerikan e goditi balonën e dyshuar spiune kineze teksa ajo fluturonte në brigjet e Karolinës së Jugut këtë të shtunë, një veprim që vjen në një kohë kur marrëdhëniet Kinë-SHBA janë të tensionuara.
Rrëzimi i objektit fluturues erdhi pak kohë pasi qeveria amerikane ndaloi fluturimet rreth brigjeve të Karolinës së Jugut. Ajo u godit ndërkohë që ndodhej mbi ujërat e Atlantikut, në mënyrë që mbetjet të mos binin në zonë të populluar.
Autoritet amerikane e konsideruan incidentin me balonën në territorin amerikan ngjarje të rëndë, në shkelje të hapur të hapësirës ajrore amerikane dhe ligjit ndërkombëtar. Por Kina ka këmbëngulur se balona, e cila sipas Pekinit kishte humbur kontrollin, ishte civile dhe se ishte përdorur për mbledhjen e të dhënave meteorologjike. Incidenti me balonën detyroi Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken të shtyjë vizitën e planifikuar për këtë fundjavë në Pekin.