
Forcat iraniane të sigurisë koordinuan vrasjen, torturën dhe abuzimin seksual të qindra personave që morën pjesë në protestat mbarëkombëtare të vitit 2022, sipas një raporti të Amnesty International, bazuar në dokumente të rrjedhura dhe dëshmi të të mbijetuarve.
Protestat shpërthyen në shtator të vitit 2022, pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares kurde Mahsa Amini, e arrestuar nga policia e moralit për shkak të pretendimeve se nuk kishte respektuar rregullat për hixhabin.
Në përgjigje të protestave, autoritetet iraniane ndërmorën një fushatë të ashpër shtypjeje. Sipas dokumenteve të publikuara nga Amnesty, strukturat shtetërore kishin dhënë udhëzime për një reagim “të fortë dhe të ashpër”. Në një urdhër të rrjedhur, forcave u kërkohej të vepronin “pa mëshirë”, deri në shkaktimin e vdekjes.
Amnesty tha se ka verifikuar vdekjen e 377 protestuesve dhe kalimtarëve, mes tyre 56 fëmijë. Organizata dokumentoi gjithashtu rastet e 16 personave që dyshohet se u përdhunuan gjatë ndalimit arbitrar në lidhje me protestat.
Viktimat përfshinin gra, burra dhe fëmijë. Sipas raportit, abuzimet seksuale u kryen gjatë marrjeve në pyetje dhe ndalimeve, duke përdorur mjete të ndryshme dhe pjesë të trupit të autorëve.
Dëshmi të ngjashme ishin mbledhur edhe më herët nga mediat ndërkombëtare. Mjekë kishin raportuar se forcat iraniane qëllonin protestueset në fytyrë, gjoks dhe në organet gjenitale, duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe potencialisht të përhershme.
Raporti i Amnesty thekson se mosndëshkimi për shtypjen e protestave të vitit 2022 krijoi kushtet për një reagim edhe më brutal ndaj protestave antiqeveritare të janarit 2026, gjatë të cilave, sipas organizatës, u vranë mijëra protestues brenda 48 orëve.
Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, tha se hetimi zbulon “zinxhirin e komandës dhe koordinimit” pas shtypjes së protestave.
“Agjentët në terren vepronin brenda një zinxhiri hierarkik dhe të koordinuar komandimi, që i lidhte ata me zyrtarë që drejtuan, mundësuan, lehtësuan dhe mbështetën krime të kryera në përmasa masive”, deklaroi Callamard.
Amnesty ka identifikuar 87 zyrtarë iranianë, përfshirë liderin e ndjerë suprem Ali Khamenei dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Mohammad Bagheri, si persona që duhet të hetohen për krime kundër njerëzimit.
Në listë janë përfshirë gjithashtu ish-ministri i Brendshëm Ahmad Vahidi, i cili më vonë u bë komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, si dhe ish-zëvendësministri i Brendshëm për Policinë dhe Sigurinë, Majid Mirahmadi.