Korporata e Investimeve Shqiptare, e krijuar për tjetërsimin e pasurive publike, hapi disa muaj më parë garën për projektin e “Parkut të Besimit”, në zonën e Petrelës në Tiranë. Në një sipërfaqe të stërmadhe prej 210 mijë metrash katrore, do të ndërtohen hotele dhe restorante, me “kamuflimin” e harmonisë fetare.
Një projekt gjigant që prek edhe Kalanë e Petrelës dhe kodrën përreth këtij monumenti të kulturës. Grupet e Korporatës kanë bërë matje dhe anë vendosur që në të gjithë zonën të bëhen ndërtime, kryesisht hotele, bare dhe restorante. Madje, do të bëhen edhe miniprojekte të besimeve të ndryshme në të gjithë zonën.
Prej disa javësh, rreth 30 studio ndërkombëtare dërguan projektet te Korporata, ku vetëm 12 janë kualifikuar për më tej, në fazën e ardhshme.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Korporata shkruan se më datë 11 korrik 2025 komisioni i vlerësimit të ofertave përfundoi procesin e vlerësimit të kësaj faze dhe, në përfundim të saj, në listën e shkurtër janë kualifikuar 12 ekipe ndërkombëtare.
Deri më tani, garën e kryeson një bashkim firmash me shqiptaren “Abkons” si nënkontraktor. Firma Abkons është në pronësi z. Besnik Leskaj dhe Redjan Bashës. Vëllezërit Leskaj, Besniku dhe Arjani, janë pronarë të disa firmave që kanë fituar leje ndërtimi, madje janë shpallur edhe investitorë strategjikë gjatë viteve të fundit.
Cilat firma janë “kundërshtarët” më të fortë të familjes Leskaj?! Sipas dokumentit të Korporatës, firma e dytë në garë është sërish një bashkim operatorësh, me firma të huaja projetuese. Por, ajo që bie në sy është kompania shqiptare Atelier4, një firmë në pronësi të vëllezërve Alban, Andi dhe Olsi Efthimi.
Kompania në fjalë u njoh fillimisht si një nga përfitueset më të mëdhaja të tenderëve të projektimit dhe më pas atyre të ndërtimit. E njëjta kompani ka marrë me dhjetëra leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtime shumëkatëshe.
Dy familje shumë të forta, me lidhje deri lart në kupolën shtetërore, që do konkurrojnë njëra-tjetrën për një llokmë të madhe. Kandidatët e tjerë janë bashkime firmash shqiptare dhe të huaja, ku fillimisht do të bëhet projekti dhe më pas ndërtimet. Janë disa nga firmat e preferuara edhe nga kryeministri Rama, që kanë fituar edhe të tjera projekte në Shqipëri si “Casanova + Hernandez” e renditur e pesta, “JV BOLLES + ËILLSON” e renditur e gjashta apo edhe “Bjarke Ingels Group” e renditur e shtata.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, shteti shqiptar është gati që t’i japë privatit një sipërfaqe prej 210 mijë metrash katrorë për të ndërtuar hotele dhe restorante. Mësohet se brenda kësaj zona ndodhet edhe Kalaja, e cila është monument kulture.
Një nismë e qeverisë për harmoninë dhe tolerancën fetare, ku do të ndërtohen “kopje” të disa monumenteve kulturore në të gjithë botën, atë islame, të krishterë, budist apo edhe të besimeve të tjera. Por, nga dokumentet që ka hulumtuar VoxNews rezulton se, brenda Parkut të Besimit, do të ndërtohen hotele dhe restorante të shumta, duke e tjetërsuar të gjithë atë sipërfaqe, pjesa më e madhe shtetërore.
“Siti i propozuar i konkursit ndodhet në zonën e Petrelës, në një sipërfaqe prej afërsisht 210,000 m2. Pozicionimi buzë luginës të Erzenit dhe kontrasti i kodrave dhe luginave ka nxitur zhvillimin e strukturave turistike (hoteleri, bujtina dhe bar restorante) dhe aktiviteteve sportive-turistike (Zip Line Albania). Në zonë dhe në afërsi të saj, ndodhen një sërë atraksionesh historike si Kalaja e Petrelës, vendbanimi antik i Persqopit dhe Muzeu i Historisë të Forcave të Armatosura” thuhet në këto dokumente.

Por, çfarë do të ndërtohet në atë zonë?! Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, me “kamuflimin” e besimit në gjithë atë zonë do të bëhen hotele dhe restorante. “Strehat Mikpritëse - Akomodimet do të konfigurohen në struktura të ulëta që do të shërbejnë si “streha” për të përmirësuar mirëqenien mendore dhe fizike, të pajisura me elemente që promovojnë harmoninë mjedisore, mirëqenien e komunitetit dhe qëndrimin shpirtëror” thuhet në dokumente.
Sipas tyre, janë projektuar deri në 75 njësi për të akomoduar profile të ndryshme vizitorësh, duke përfshirë turistët e mirëqenies, pelegrinët shpirtërorë dhe vizitorët VIP. Ndërkohë, do të ketë edhe akomodim me impakt të ulët. “Struktura të Qëndrueshme – Këto njësi janë një pjesë thelbësore e përvojës së mirëqenies, të projektuara për të mbështetur infrastrukturën e gjelbër të parkut dhe për të ruajtur praktikat e qëndrueshme. Projektimi i 25 njësive shtesë me konfigurime të ndryshme për të akomoduar individë dhe grupe që kërkojnë retreat-e holistike për mirëqenie” shkruhet në këto dokumente.
Me pak fjalë, në gjithë zonën do të ndërtohen 100 hotele! Por, Korporata ka parashikuar të ndërtojë edhe restorante.
“Shërbime që ofrojnë një larmi ushqimesh dhe pijesh të ndryshme, duke respektuar preferencat fetare dhe dietike të vizitorëve. Kapaciteti për të akomoduar lehtësisht fluksin tipik të vizitorëve në hapësirat kulturore të parkut si dhe të ftuarve në strukturat e mikpritjes”, thotë Korporata.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.