Fotografi personal i Enverit dhe historia e fotos së fundit: Nexhmija më thoshte ‘jepi duarve’

1 June 2022, 19:14Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotografi personal i Enverit dhe historia e fotos së fundit: Nexhmija
Petrit Kumi dhe foto e fundit e Enverit

Petrit Kumi është fotograf i vjetër nga ata që kanë fiksuar ndër të parët në foto Shqipërinë e para viteve ’90. Shpesh herë të fotografuar ashtu siç do të duhet të ishte dhe jo si ishte në të vërtetë, ai ka udhëtuar pothuajse në të gjithë vendin dhe për më shumë se 15 vite ka qenë fotografi personal i ish-diktatorit, Enver Hoxha.

Sot, edhe pse një burrë në moshë, ai nuk e ka braktisur mjetin që shkruan në dritë (aparatin), por me një ndryshim: Tani e përdor për qejf. Tani nuk janë njerëzit në fokus, por natyra. Familja Kumi ka qenë e rrethuar nga aparatet fotografike, bashkëshortja e tij ka qenë po ashtu fotografe dhe çifti Kumi e ka trashëguar të fëmijët e tij këtë profesion. Sot ai banon në zemër të ish-Bllokut, në një zonë ku në rininë e tij futej vetëm me aparat në çantë për të fotografuar familjen e udhëheqësit të asaj kohe, Enver Hoxha.

Realizuesi i mijëra fotove në një intervistë për gazetaren Entela Resuli tregon si fotografohej nën diktaturë dhe një rrëfim për portretin e fundit të ish-diktatorit Hoxha.

Cili ka qenë momenti më i sikletshëm për ju?

Vizitat kishin lodhje fizike të madhe. Kërkoja të kapnim një pikë të veçantë dhe mua nuk më imitonte dot askush. Dëshira ime ishte që fotografinë time ta merrnin dhe vendosnin në shtëpi. Momenti i sikletshëm ka qenë fotografia e fundit e Enver Hoxhës, sepse mora një porosi kur unë isha drejtori i fotografisë në ATSH në vitin 1984. Duhej të shkoja në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe t’i bëja një foto. Më dhanë porosi të veçantë dhe një nga dhomat u kthye në studio.

Pse e bëtë dhomën studio?

Nuk e dija arsyen në atë kohë. Ashtu e bëmë, unë bashkë me kunatin tim, i cili nuk jeton më dhe që mua më ka dhënë një përvojë të madhe. E mora të më rregullonte ndriçimin sepse ai ishte specializuar në këtë pjesë. Ajo që kujtoj është se kam pritur 13 ditë rresht që Enver Hoxha të vijë të bëjë fotografinë.

Pse u deshën 13 ditë?

Unë këtë nuk e zbuloja dot në atë kohë. Dikush thoshte se ishte shumë i zënë me punë, dikush tjetër thoshte një arsye tjetër. Po unë isha i vetëm në atë dhomë. Shkoja në orën 9 dhe rrija deri në orën 14:00 pasdite, çdo ditë. Shkoja në mëngjes dhe më thoshin rojet, “mos u mërzit se sot më duket se do dalë”. Në ditën e 13-të erdhi me të shoqen dhe shoqëruesin e tij Sulo Gradeci. Unë e kisha përgatitur studion duke marr në provë dy punonjës që ishin të gjatë si Enveri, sepse duhej të llogarisja ndriçimin për një njeri të gjatë. Kisha bërë disa foto me persona të tjerë për të llogaritur ndriçimin sipas orarit. Pas nuk mund të bëja me të njëjtin ndriçim si në orën 10 apo dhe në orën 14.00. Nexhmija më thoshte: “Jepi pra, duarve”. Por ishte absurde se më mbajti 13 ditë për të pasur një fotografi të bukur dhe në fund më thoshte: “Jepi duarve”.

Si arrite ta realizoje atë fotografi?

Më ndihmuan disa mësime që i kisha marrë. Më parë kisha bërë një vizitë në Kinë ku fotografi i Mao Ce Dunit më tregoi disa truke që bënte me Maon për ta fotografuar. Ai në fillim i bënte atij një bisedë, i fliste për rritjen ekonomike apo se si do të jetë koha, dhe a po mban mirë. Kjo e sillte në humor dhe i sillte një pamje më të qeshur dhe kështu çlirohej nga mendimi se do bënte fotografi. Edhe unë kur isha përballë Enverit në ato momente, e pashë që ishte pak i kontraktuar dhe i them: “Moj shoqja Nexhmije, po sikur t’i marrim ata fëmijët e t’i vendosim rreth e rrotull” – kujtova kështu fotografin kinez. Unë s’mund të flisja për bujqësi e ekonomi se s’më linte njeri, por mendova më mirë këto fjalë. Përgjigja e Nexhmijes ishte nervoze: “Po ti ç’flet”, tha, “unë them jepi duarve, ti kërkon fëmijët”. Dikush tjetër rreth e rrotull dëgjonte dhe vepronte. Pas 10 minutash erdhën fëmijët. E mora më të voglën dhe ia vendosa në prehër. Nexhmija më thotë: “Çfarë bën kështu?”. Enveri u çlirua disi dhe po i thosha që të pozicionohej pak. Unë zakonisht e kapja nga supet për ta vendosur nga duhej më mirë për dritën, por këtë herë s’më lanë ta prekja. Aty kuptova se ai ishte i sëmurë. Dhe nga krahu u djathtë s’të linte askush ta prekje. Sapo i bëra foton, iu bëra shenjë atyre që t’i hiqni fëmijët dhe i hoqën menjëherë. Në atë kohë i bëra edhe portretin e famshëm që u përdor shumë ato vite. Frika ishte se si do të dilnin këto filma. Ishin delikate solucionet e filmave me ngjyra, sepse s’të linin fare gabim. Kur doli e para, u kënaqa sepse doli mirë. Aty u çlirova. Të gjitha këto bëheshin në laboratorin e tyre se nuk të linin të shkoje në vend tjetër. Më pas i mori shoqëruesi i tij dhe iku në Paris që t’i stamponte. Atë fotografi (portretin) e përdorën kur vdiq, në 11 prill 1985. Kur Enver Hoxha u nda nga jeta, njerëz të familjes më erdhën në shtëpi dhe më thanë: “Ku i ke?”. U thashë që i kanë të gjitha vetë ata. Shkuam atje dhe zgjodhëm atë që ishte më mirë dhe doli gjitha faqja e parë te “Zëri i Popullit”. Fotoja e fundit është bërë nga unë. Edhe në album unë e kam cilësuar fotografia e fundit. Për pesë-gjashtë muaj ai vdiq.



Video