Me ardhjen e Ramiz Alisë në krye të shtetit monopartiak shqiptar dhe për më tepër pas vdekjes së Enver Hoxhës, u shtuan shenjat për ndryshimet demokratike që do të pasonin në Shqipëri, si kudo në shtetet e tjera lindore komuniste. Këto shenja shfaqeshin si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme. Gjithë këto ndryshime nuk mund të kalonin pa rënë në sy të korpusit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Duke ditur rëndësinë dhe nevojën e padiskutueshme për ndihmë nga shtetet e huaja, e sidomos ato fqinje, Ramiz Alia kishte urdhëruar Sigurimin e Shtetit të përgjonte pa ndërprerje diplomatët e huaj dhe sigurisht që të informohej rregullisht për bisedat me rëndësi që ata zhvillonin. Duket që mendimet e tyre ishin të rëndësishme për të, sepse ky informacion e orientonte atë në politikën që duhej të ndiqte.
Një ndër këto biseda, që po e japim të plotë më poshtë, është edhe ajo që sekretari i parë i ambasadës greke Pantelis C. zhvillonte me sekretarin e parë çek,Vladimir S. Biseda e tyre përqendrohet kryesisht në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe zhvillimin e tyre në të ardhmen. Ajo çka bie në sy në këtë dokument është si qartësia e vlerësimit të këtyre marrëdhënieve, po ashtu edhe mënyra e hapur që dy sekretarët e ambasadave e zhvillojnë bisedën, pavarësisht se ende i përkasin dy kampeve të ndryshme.
Më poshtëdokumenti i nxjerrë nga AQSh, në fondin e KQ të Partisë së Punës:

***
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar nr…
DREJTORIA I
Nr. 7707 Tiranë, më 16.8.1989
Lënda: Për bisedën e sekretarit të parë grek Pantelis Carcabassis me sekretarin e parë çek Vladimir Stërhan.
SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA
Tiranë
Pantelis Carcabassis, sekretari i parë grek, në bisedë me kolegun e tij çek, Vladimir Stërhan, ndërmjet të tjerave shprehet:
“Përsa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, ato tani pas konfuzionit të zgjedhjeve tona kanë ngelur pak si pezull. Shqiptarët janë të shqetësuar aktualisht me ardhjen e ministrit të ri të Jashtëm në Greqi, mbasi atë nuk mund të kenë sigurisht aq mik sa patën Papuliasin. Edhe zoti Hajdini, që është ambasador në Athinë, ju bëri një vizitë organeve kompetente në ministrinë tonë, i cili i pyeti ata ndërmjet të tjerave, se si do të zhvillohen më tej marrëdhëniet midis vendeve tona. Në përgjigje, ata i premtuan atij, se asgjë s’ka për të ndryshuar dhe se çdo gjë do të ecë normalisht si më parë, por shqiptarët e kanë frikën. Pala jonë u shpreh e gjithashtu, se “edhe në qoftë se do të ketë ndryshime ato nuk do të jenë radikale”.
Shqiptarëve nuk ju voliste fare ky ndryshim që u bë tek ne, sepse u ndodhi pikërisht në kohën që kanë kaq shumë probleme të vështira të brendshme për tëzgjidhur, prandaj këta sot janë shumë të mërzitur. Perspektiva e këtyre marrëdhënieve varet shumë nga fakti, se kush do t’i fitojë zgjedhjet e reja tek ne. Po qe se i fiton partia konservatore, marrëdhëniet me Shqipërinë kanë për të qenë shumë të rezervuara, prandaj shqiptarëve u është shtuar më shumë shqetësimi, që nga vizita e zotit Hajdini në ministrinë tonë.
Ju doni të dini, në se Reis Malile ka patur ndonjëherë kontakt me ministrin tonë të ri? Ç ‘është e vërteta, gjatë pritjes që dhanë francezët më 14 korrik, ne na bëri përshtypje, se Malile ngriti dolli për shëndetin e Cane Canetaqis, Papuliasit të ri dhe, aty mësuam se ai njihej prej kohësh me të si diplomat me karrierë që është. Deri tani ata s’janë takuar, por me siguri do takohen së shpejti në ndonjë prej veprimtarive ndërkombëtare. Pra, siç duket mund të krijohet ndonjë miqësi midis Maliles dhe Canetaqis.
Shërbimet tona shkencore e kulturore gjatë kësaj periudhe kanë ecur normalisht, pavarësisht nga ndryshimet e bëra. Kështu shpresojmë të vazhdojmë edhe në të ardhmen”.
Në përgjigje, Vladimir Stërhan, thotë:
“Ju shprehët midis të tjerave, se shqiptarët janë të mërzitur për ndryshimet e bëra. Për mendimin tim, nuk ka si të mos jenë të tillë, mbasi vetë këta kishin hedhur hapa të vullnetshme në marrëdhëniet me ju. Që të gjithë jemi dëshmitar të shkëmbimit të vizitave miqësore të dy ministrave të Jashtëm, si dhe të dëshirës së madhe të shqiptarëve për të pritur Papandreun.
Lidhur me gjendjen e Shqipërisë, politikës që do të ndjekë kjo në të ardhmen, ne duhet të jemi optimistë, sepse edhe në qoftë se këta tani bëjnë ndonjë hap mbrapa apo qëndrojnë në fazat e “pritjes” apo të “vonesave të gjërave” këto janë momentale, do të kalojnë me vitet. Rëndësi ka fakti, që shqiptarët e kuptuan, se duhet të lëvizin e të ndryshojnë si gjithë bota, prandaj unë jam shumë optimist për këtë gjë. Vonesat, frenimet, ecjet prapa janë normale, por Shqipërisë po i dalin shumë probleme demografike, gjë kjo që do ta detyrojë atë në të ardhmen të bëjë ndryshime të mëdha ekonomike dhe politike.
Popullsia shqiptare po rritet me hapa vigane, prandaj ekonomia e saj nuk mund të ketë mundësi t’i përballojë nevojat e saj. Në këtë mënyrë do të bëhen të domosdoshme ndryshimet rrënjësore ekonomike e politike”.
Ministri i Punëve të Brendshme
Simon Stefani
Nënshkrim
Vulë
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.