
Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën “Folmekm.al” për dialog pas protestave të dhunshme.
Duke e cilësuar një “urë të hapur 24 orë”, Rama tha se një skuadër e dedikuar do të garantojë shkëmbimin e informacionit, në kushtet kur, sipas tij, dialogu është penguar nga presioni, kërcënimet dhe dhuna.
“Faqja është gati. Kushdo të komunikojë, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijnë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun. Kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale. Një urë e hapur 24 orë, ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve që shkëmbehen. Kështu jemi në kushtet kur në këtë fazë, se më vonë do të shkrihen edhe akujt e vendosur artificialisht nga ata që mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, bashkëjetesës demokratike”, tha Rama.