Pas vendimit të janarit të Gjykatës Kushtetuese, që konsideroi si joproporcionale kufizimet e vendosura nga qeveria në ligjin për studentët e mjekësisë, Ministria e Arsimit ka propozuar afatet e reja, sipas të cilave studentët e kësaj dege do të detyrohen që të punojnë në sistemin shëndetësor publik në vend.
Ministria e Arsimit propozon uljen e punës së detyruar në institucionet vendore nga pesë në tre vite, për studentët që nisin studimet në vit të parë të mjekësisë në vitin akademik 2024-2025.
Për studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt propozohet ulja e detyrimit për të punuar në vend nga tre në dy vite, ndërsa për studentët e viteve të pesta dhe të gjashta propozohet detyrimi për të punuar në vend në një vit, nga dy vite që ishte në ligjin e rrëzuar pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese në janar.
Ligji shkaktoi protesta të studentëve të mjekësisë, që e kundërshtuan deri në Kushtetuese. Sipas Gjykatës, dispozitat e kundërshtuara nga studentët, sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, por ky kufizim ka ardhur për shkak të interesit publik, për të garantuar kujdes shëndetësor.
Ky institucion e ka cilësuar si joproporcional afatin e vendosur nga Qeveria, për ‘mbajtjen peng' të diplomës, me kërkesë të punës së detyrueshme për pesë vjet në institucionet shëndetësore vendase.
“Afati pesëvjeçar rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati pesëvjeçar nuk është proporcional, dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera trevjeçare dhe dyvjeçare, të përcaktuara në të njëjtin nen”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.