Në Kuvend janë depozituar prej mesit të muajit prill kandidaturat për kreun e ri të Entit Rregullator të Energjisë. Enti, që ka për kompetencë dhënien e licencave dhe fjalën e fundit përsa u përket çmimeve të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset prej muajsh drejtohet nga Erjola Sadushi, si kryetare e komanduar.
Arsyeja është se kryetarit në letër të këtij Enti, Petrit Ahmetit i ka përfunduar mandati. Ai u zgjodh për herë të parë në krye të Entit në vitin 2013. Ligji për energjinë elektrike, sipas ndryshimeve të vitit 2015 kufizon në dy mandate për kryetarin e bordit të ERE-s. Ahmeti u zgjidh me 74 vota në 2013-n në krye të bordit të Entit për një mandate 5 vjeçar. 11 vite më vonë, edhe pse ndryshimi i ligjit për sektorin e energjisë në vitin 2015 kufizon në dy mandate këtë post, Petrit Ahmeti është sërish kandidat.
Ai është mes emrave të propozuar në një nga mbledhjet e fundit të komisionti të veprimtarive prodhuese në Kuvend nga ana e ekipit përzgjedhës, që përbëhet nga persona të autorizuar nga Kuvendi dhe SPAK-u. Nëse do të zgjidhet edhe njëherë në krye të këtij bordi, Petrit Ahmeti do të ketë mandatin e katërt në krye të ERE-s dhe të tretin që prej ndryshimit të ligjit në vitin 2015. Përveç kësaj, Ahmeti është edhe në moshë pensioni.
Emri në dosjen e Ilir Metës
Emri i kreut të ERE-s, Petrit Ahmeti është përmendur në dosjen e Arbitrazhit në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek dhënë më 26 tetor të vitit 2014. Në dëshminë e tij, Hejsek pohon se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, i cili ka rekomanduar Kastriot Ismailajn si një mbledhës të borxheve të jashtme të CEZ-it. Më pas, së bashku me Ismailajn, Hejsek deklaron se ka shkruar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës ku ishin të pranishëm edhe ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe kryetari aktual i ERE-s, Petrit Ahmeti, në atë kohë këshilltar zyrtar i Bordit të ERE-s.
Më tej, duke përmendur rolin e Ismailajt, ish-drejtori i CEZ-it në Shqipëri thotë se ai e prezantoi veten si një specialist të mbledhjes së borxheve dhe njohës të politikës dhe biznesit shqiptar. “Së bashku me zotin Ismailaj, gjithashtu takova zotin Nepravishta, kryetarin e ERE-s dhe këshilltarin ligjor në atë kohë, emri i të cilit ishte Petrit Ahmeti”, thotë Hejsek duke përfshirë kështu në këtë çështje dhe kryetarin aktual të ERE-s.
Në lidhje me këtë dëshmi, Petrit Ahmeti është marrë në pyetje në vitin 2015, ndërsa pas kalimit të dosjes në SPAK, u pyet sërish në vjeshtën e vitit 2022.
Dëshmitë në dosjen e Arbitrazhit
Mediat kanë publikuar dokumente lidhur me gjyqin e çuar në Arbitrazh për CEZ-in dhe firmën “DIA” (Debt International Advisory). Sipas dokumenteve të Arbitrazhit, në prill të viti 2010, Petrit Ahmeti dhe Kastriot Ismailaj kanë krijuar shoqërinë “ASSET”, ku rezultojnë bashkëaksionerë sipas një dokumenti të Qendrës Kombëtare të Bizneseve. Dokumentet dhe deponimet në arbitrazh, nga dy persona, E.M dhe S.H., tregojnë se ka qenë Ahmeti që ka përgatitur edhe dokumentet për Pragën, në mënyrë që DIA të merrte borxhet e pambledhura për llogari të CEZ-it.
“Kastriot Ismailaj, që në mars – prill 2011 më ka shprehur që – ‘çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj se në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ-it’. – Më tregoi një dokument prezantimi për DIA-n, të cilën e kishte prezantuar në Pragë. Ky dokument kishte në faqen e parë kompaninë austriake “Passut & Partners” si autore të studimit. Kur e pyeta Ismailajn për emrin e kompanisë austriake ai më tha se emri është austriak, por prezantimin e kanë bërë dy persona që ishin shtetasit S.H dhe Petrit Ahmeti si persona që njohin mirë sistemin energjetik në Shqipëri. Di që pas këtij prezantimi, u firmos kontrata e shërbimit në 1 shtator 2010”, thotë E.M në deponimin e tij për aferën CEZ-DIA.
Pas kësaj dëshmie është pyetur edhe shtetasi S.H. “Këtë dokument unë e kam përgatitur së bashku me shtetasin Petrit Ahmetaj, të cilin e ka thirrur për këtë punë, vetë Kastrioti. Eksperienca e Petritit ishte e madhe sepse edhe ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sistemin elektroenergjetik. Dokumenti është përgatitur për një kohë prej rreth dy javësh dhe i është dorëzuar Kastriotit, i cili tha se ky dokument do të shkonte në Pragë, te CEZ Praga, në funksion të marrjes së një pune”, dëshmoi S.H