Shqiptarët u njohën për herë të parë me emrin e Enver Sheshit në shkurt të vitit të kaluar.
Në atë kohë ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që doli në një konferencë për shtyp, pasi kishte paralajmëruar ‘denoncimin e një mega-afere’.
Denoncimi lidhej me faturat fiktive të inceneratorit të Fierit, për të cilat prokuroria kishte hetuar një herë dhe gjykata kishte ndëshkuar një herë.
Mes të hetuarve dhe dënuarve ishte edhe 59-vjeçari Enver Sheshi.
Por, ky detaj u anashkalua nga Monika Kryemadhi. Ajo foli gjatë se si Enver Sheshi dhe emrat e disa biznesmenëve të tjerë, deri në atë kohë të panjohur, ishin gjoja pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që po bënin kërdinë me buxhetin e shtetit.
Në të gjithë atë denoncim, që më shumë se ‘mega-aferë’ ishte siç thotë populli, ‘u mbars mali e polli një mi’, Kryemadhi nuk përmendi emrin e Arben Ahmetajt. Emrin e tij vijon të mos e përmende edhe sot Ilir Meta, si pasues në krye të partisë familjare, që vetëm në letra ka ndryshuar emrin.
Po pse nuk kishte asgjë të re në denoncimin e Kryemadhit? Së pari, faturat që ajo bëri publike për evazion fiskal ishin të vjetra, por ish-kryetarja e ish-LSI-së edhe pse ishte në dijeni të këtij fakti thelbësor e anashkaloi atë.
Qëllimi kryesor ka qenë përfitimi politik para zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Pjesë e lojës politike të Kryemadhit u bë pa dashje më vonë edhe SPAK-u. Edhe prokuroria e posaçme e pas tij edhe gjykata anashkaluan faktin që i ndjeri Enver Sheshi ishte dënuar një herë për të njëjtën akuzë dhe po për rastin e inceneratorit të Fierit.
Përpjekjet e tij përmes avokates para gjykatës ranë në vesh të shurdhër. Që prej nëntorit të vitit të kaluar ai mbahej në qeli, deri të shtunën e 7 janarit, kur ndërroi jetë tragjikisht. Për këtë vdekje duhet të ketë përgjegjës. Përgjegjësit kryesorë janë dy; së pari strukturat e reja të drejtësisë që ‘besuan’ qorrazi deklaratat politike të Monika Kryemadhit dhe së dyti, vetë Monika Kryemadhi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.