Rroga minimale dhe presion, policët po dorëhiqen dhe po emigrojnë

20 October 2022, 19:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rroga minimale dhe presion, policët po dorëhiqen dhe po emigrojnë

E gjithë trupa e Policisë së Shtetit po përballet me një valë dorëheqjesh për shkak të presionit të lartë të eprorëve, rrogat e ulëta dhe mungesës së logjistikës së nevojshme për ushtrimin e detyrës.

Dorëheqjet janë dhënë me pezullim, për t’i lënë vetes mundësinë e rikthimit në detyrë nëse gjërat ndryshojnë. Shumica e atyre që kanë paraqitur dorëheqjen po mendojnë emigrimin, të tjerë janë larguar, ose po mendojnë të largohen si të punësuar në privat, kryesisht si pjesëtarë të shoqërive të sigurisë fizike.

Policët në Shqipëri janë më të nënpaguarit në rajon. Një oficer policie në Shqipëri merr mesatarisht 560 euro në muaj. Në Kosovë shifra është rreth 700 euro, në Maqedoninë e Veriut rreth 710 euro, 750 euro në Mal të Zi dhe 900 euro në Serbi.

Rroga nuk është faktori i vetëm që po shtyn punonjësit në dorëheqje. Presioni i madh nga strukturat drejtuese, që kërkojnë statistika të detajuara çdo javë për arritjet, presion i shtuar pas emërimit si Drejtor të Përgjithshëm të Muhamet Rrumbullakut ka rritur edhe kërkesat për pezullim nga detyra pa të drejtë rroge. Voxnews.al mëson se janë me dhjetra raste të tilla.

Kjo është gjendja e Policisë së Shtetit sot. Dikur ishte ëndërr për të rinjtë që të bëheshin pjesë e kësaj trupe. Sot, të rinjëve që e realizuan këtë ëndërr u duket makth, ndërsa nuk ka interes as nga brezi i sotëm, pasi aplikimet numërohen me gishta.

Arsyeja se përse të rinjtë refuzojnë të veshin uniformën është edhe mungesa e meritokracisë, emërimet nepotike dhe me ndërhyrje direkt të ministrit Bledi Çuçi dhe deputetëve të tjerë socialistë, në një kohë që gradat mbeten të bllokuara prej kohësh.

Publikisht, drejtuesit e policisë dhe Ministria e Brendshme përpiqen të paraqesin një situatë optimale brenda radhëve të uniformave blu, por jopublikisht situata brenda kësaj organizate është në një krizë të thellë, ndoshta më të rëndën pas 1997-s, kur u shkërmoq komplet si strukturë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video