Europa nën terrorin e pazakontë të ‘bombave’, kërcënime në aeroporte dhe redaksi mediash

6 November 2026, 18:26Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Europa nën terrorin e pazakontë të ‘bombave’,

Europa po përballet me një valë të pazakontë kërcënimesh për bomba, që po përhap panik në aeroporte, institucione mediatike dhe sektorë të tjerë strategjikë.

Sinjalizimet e reja të kësaj të premteje, 6 nëntor, prekën fluturime në disa vende europiane, ndërsa në Irlandë u evakuuan redaksi mediash dhe u ndërprenë transmetime radiofonike. Kjo situatë vjen pas një serie alarmesh të ngjashme të ditëve të fundit, që kanë prekur të paktën 25 fluturime, duke ngritur dyshimet për një fushatë të koordinuar kërcënimesh.

Mes rasteve të fundit ishte një avion i Ryanair që udhëtonte nga Roma drejt Lisbonës, i cili u ul në aeroportin e kryeqytetit portugez pas një alarmi për bombë. Kontrollet u aktivizuan gjithashtu për një fluturim të Wizz Air nga Praga drejt Romës, i cili u devijua në Venecia pas një telefonate anonime në kullën e kontrollit në Fiumicino.

Autoritetet çeke po hetojnë kërcënime ndaj disa avionëve në aeroportin e Pragës, ku të paktën tetë fluturime u anuluan ose u shtynë. Sinjalizime të tjera u raportuan edhe në aeroportin e Kopenhagenit, por policia daneze deklaroi se nuk kishte rrezik për pasagjerët.

Ndërkohë, në Itali, mesazhe kërcënuese iu dërguan punonjësve të aeroportit të Romës dhe një kompanie private të logjistikës ajrore, ku pretendohej se në dy avionë, që vinin nga Helsinki dhe Dublini, ishin vendosur eksplozivë. Edhe pse kërcënimi rezultoi i pabazë, u aktivizuan menjëherë strukturat e sigurisë dhe Policia Postare.

Situata më shqetësuese u regjistrua në Irlandë, ku disa media u detyruan të evakuonin punonjësit dhe të ndërprisnin transmetimet pas marrjes së një emaili, që paralajmëronte për një shpërthim brenda 45 minutash.

Mes institucioneve të prekura ishin transmetuesi publik RTÉ, Neustalk Radio, Today FM, Virgin Media dhe gazeta Irish Independent. Policia ndërhyri në ambientet e mediave me qen të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve, ndërsa transmetimet rifilluan pas përfundimit të kontrolleve.

Autoritetet europiane po hetojnë nëse këto incidente janë të lidhura mes tyre dhe nëse bëhet fjalë për një fushatë të organizuar që synon të godasë infrastrukturën e transportit, komunikimin dhe institucionet strategjike në Europë.

 


Video