Erdhën në Shqipëri për të njoftuar shtatzëninë, çiftit Gjoni i gjenden 23 kg drogë në valixhe! (Gruaja pëson abort, burri rrezikon 15 vite burg)

12 Nëntor 2026, 12:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erdhën në Shqipëri për të njoftuar
Kristian dhe Adriana Gjoni

Një udhëtim nga Kanadaja drejt Shqipërisë, që duhej të ishte një vizitë familjare për të ndarë lajmin e pritjes së fëmijës së parë, u kthye në një makth për Kristian dhe Adriana Gjonin.

Çifti me origjinë shqiptare, që jeton në Toronto, përfundoi në qendër të një hetimi për trafik narkotikësh, pasi në aeroportin e Rinasit autoritetet zbuluan 23,15 kilogramë kanabis në një valixhe që Kristiani këmbëngul se nuk ishte e tij.

Rasti është bërë pjesë e një investigimi të televizionit kanadez CTV News, përmes emisionit W5, i cili ngre dyshime për një skemë të organizuar të ndërrimit të etiketave të bagazheve në aeroportin Pearson të Torontos.

Ngjarja ndodhi gjatë verës, kur Kristian dhe Adriana udhëtuan me një nga fluturimet e para direkte të kompanisë Air Transat nga Toronto drejt Tiranës. Sapo mbërritën në aeroportin e Rinasit, një punonjës i doganës vuri re se njërit prej katër bagazheve të çiftit i mungonte etiketa identifikuese.

Pas rreth dy orësh e gjysmë ndalimi, Kristiani u shoqërua drejt zonëssë bagazheve dhe iu kërkua të merrte një valixhe që kishte mbetur aty. Ai pretendoi se valixhja nuk ishte e tij, por autoritetet e hapën dhe brenda saj u zbuluan 23,15 kilogramë kanabis.

Sipas raportimeve, policia shqiptare e vlerësoi sasinë e drogës në afro 400 mijë dollarë kanadezë. Kristiani tregon se autoritetet nisën menjëherë dokumentimin e ngjarjes, ndërsa ai u përball me akuzat për trafik narkotikësh.

Ajo që e bën këtë çështje më të ndërlikuar është pretendimi se valixhja mund të jetë pjesë e një skeme të ndërrimit të etiketave. Sipas investigimit të Ë5, persona me akses në zonat e bagazheve dyshohet se heqin etiketat origjinale nga valixhet e udhëtarëve dhe i vendosin ato në bagazhe të tjera që përmbajnë drogë.

Në këtë mënyrë, një valixhe me lëndë narkotike mund të transportohet me identitetin e një pasagjeri që nuk ka dijeni për përmbajtjen e saj. Ironikisht, Kristian dhe Adriana kishin ndjekur më herët një investigim të ngjashëm të televizionit kanadez dhe kishin zbatuar këshillat e qeverisë për të fotografuar bagazhet dhe etiketat përpara dorëzimit në aeroport. Por, sipas Kristianit, ky veprim u konsiderua i dyshimtë nga autoritetet shqiptare.

Pas arrestimit, Kristiani kaloi katër ditë në izolim në një qeli pa dritare. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Adriana u dërgua në spital pasi shfaqi dhimbje të forta abdominale.

Në atë kohë, çifti priste fëmijën e parë. Fillimisht, ekzaminimet nuk konfirmuan shtatzëninë, por analizat e mëvonshme të gjakut vërtetuan se Adriana ishte shtatzënë. Megjithatë, ajo kishte pësuar abort spontan.

Dokumentet mjekësore nga spitalet në Shqipëri dhe Toronto, të shqyrtuara nga Ë5, konfirmojnë shtatzëninë dhe humbjen e saj. Kristiani beson se stresi i përjetuar gjatë ndalimit dhe gjithë ngjarjes ndikoi në humbjen e fëmijës.

Një zhvillim i rëndësishëm në këtë çështje lidhet me verifikimet e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP).

Sipas dokumenteve të siguruara nga CTV Neës, autoritetet kanadeze kanë konfirmuar se çifti kishte dorëzuar për transport vetëm katër bagazhet e veta.

Në një komunikim të muajit tetor, një oficer i RCMP-së i shkruante Kristianit se institucioni besonte se ai mund të kishte qenë viktimë e ndërrimit të etiketës së bagazhit.

Kristiani u lirua nga burgu me kusht, pasi avokati i tij paraqiti prova që lidhen me investigimin mbi sigurinë e bagazheve në aeroportin Pearson.

Ai është kthyer në Toronto, por duhet të paraqitet periodikisht pranë autoriteteve shqiptare. Fillimisht detyrimi ishte një herë në muaj, ndërsa më pas u lehtësua në një paraqitje çdo katër muaj.

Për mbrojtjen e tij është angazhuar avokati Ndue Pjetra, i cili ka paraqitur në gjykatë materiale lidhur me shqetësimet për sigurinë në aeroportet kanadeze.

Edhe kompania ajrore Air Transat ka deklaruar se i merr seriozisht pretendimet për ndërhyrje në sistemin e bagazheve dhe se ka bashkëpunuar me autoritetet përkatëse. Procesi gjyqësor ndaj Kristian Gjonit pritet të nisë në fillim të vitit 2027./DailyMail



Video