2026-11-02 09:00:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Familja e diplomatit të njohur Bashkim Zeneli ka njoftuar detajet e ceremonisë së lamtumirës dhe homazheve që do të zhvillohen në nder të tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, vajza e tij, analistja e njohur dhe ekspertja e çështjeve te sigurisë, Valbona Zeneli ka bërë të ditur se homazhet do të mbahen sot, më 2 nëntor 2026, nga ora 11:00 deri në 13:00, pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë.

Pas homazheve, diplomati do të përcillet për në banesën e fundit, në Varrezat e Sharrës.

Ndërkohë, pritja e vizitave do të zhvillohet të martën dhe të mërkurën, më 3 dhe 4 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 17:00 deri në 19:00, tek Xheko Imperial (ish-Carlsberg), pas Presidencës, në Tiranë.

Në mesazhin prekës të publikuar në rrjetet sociale, familja Zeneli shpreh dhimbjen për humbjen e njeriut të dashur, si dhe mirënjohjen për të gjithë ata që do t’i qëndrojnë pranë në këto momente të vështira.

“Me zemra të thyera por me dashuri të madhe, i japim lamtumirën e fundit njeriut tonë më të shtrenjtë, Bashkim Zenelit. Homazhet në nderim të jetës se tij do të mbahen të hënën, 2 nëntor 2026, nga ora 11:00 deri në 13:00, pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në Tiranë. Më pas, do ta përcjellim për në banesën e prehjes, në Varrezat e Sharrës. Pritja e vizitave do të bëhen ditën e martë dhe të mërkurë, 3 dhe 4 nëntor, në oraret 10:00–12:00 dhe 17:00–19:00, tek Xheko Imperial (ish-Carlsberg), pas Presidencës, Tiranë. Faleminderit nga zemra të gjithëve që do të jenë pranë nesh në këto momente të vështira. Do të na mungosh përjetë! Dashuria, mirësia, dinjiteti, dhe mesimet e tua do të jetojnë gjithmonë me ne. Me dhimbje dhe dashuri të pafund, Familja Zeneli”,- thuhet në njoftim.

 Ambasadori Bashkim Zeneli, një nga emrat e njohur të diplomacisë shqiptare dhe një politikan ekselent u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare ditën e premte. Diplomati i njohur mbylli sytë përgjithmonë në një spital jashtë vendit, ku edhe po kurohej prej kohësh për shkak të një sëmundje. Bashkim Zenel u nda nga jeta i rrethuar nga familjarët e tij. Bashkim Zeneli do të kujtohet si një prej figurave të rëndësishme të jetës publike shqiptare, një politikan modern që kontribuoi në proceset e demokratizimit të Shqipërisë dhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.

Zeneli konsiderohej si një prej të urtëve dhe me kontribute në PS prej krijimit të saj.  Mendja e tij brilante, pena e mprehtë dhe qasja e tij paqësore do t’i mungojnë gazetarisë, diplomacisë dhe politikës shqiptare. Gjatë karrierës së tij, Bashkim Zeneli dha një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Bashkim Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke qenë një prej diplomatëve që përfaqësuan vendin në periudha të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe diplomatike. Përveç karrierës diplomatike, Zeneli ka qenë edhe deputet i Kuvendit, gazetar dhe publicist. Ai ka publikuar shumë shkrime dhe ka botuar disa libra. Zeneli ishte edhe autor i disa librave me kujtime dhe analiza diplomatike, mes tyre “Për Gjermaninë” dhe “Miqësi e trazuar”, ku trajtoi për vojën e tij në diplomaci dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Për kontributin e tij në diplomaci, politikën e jashtme dhe çështjen kombëtare Bashkim Zeneli është nderuar nga Presidenti i kohës, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”.


Video