
Një fluturim i Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit ka bërë ulje emergjence në Arabinë Saudite pas një incidenti të rëndë në kabinën e pilotëve, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se të dhënat tregojnë se një prej pilotëve tentoi të rrëzonte avionin.
Sipas tre zyrtarëve izraelitë të cituar nga Reuters, bashkëpiloti dyshohet se goditi me thikë kapitenin, përpara se pjesëtarë të ekuipazhit të hynin në kabinë dhe të merrnin kontrollin e fluturimit FZ1073.
Avioni devijoi drejt Arabisë Saudite ndërsa po fluturonte mbi hapësirën ajrore të Jordanisë dhe u ul në aeroportin e Tabukut. Të gjithë pasagjerët janë të sigurt dhe janë evidentuar, sipas kompanisë ajrore.
"Këtë mëngjes, ndodhi një incident shumë serioz sigurie në një fluturim nga Dubai për në Izrael. Pothuajse të gjithë pasagjerët në bord ishin izraelitë. Gjatë fluturimit, ndërsa po i afroheshin vendit, njëri nga pilotët goditi me thikë pilotin tjetër; me sa duket, ai u përpoq ta rrëzonte avionin së bashku me pasagjerët. Fola me një nga pasagjerët izraelitë. Ai më tregoi se avioni hyri në një rrotullim të pakontrolluar dhe filloi të binte me shpejtësi. Më tha se, kundër çdo gjasë, arriti të hynte me forcë në kabinën e pilotit së bashku me një nga anëtarët e ekuipazhit dhe së bashku neutralizuan pilotin”, deklaroi Netanyahu në reagimin e tij të parë publik.
Një tjetër pjesëtar i ekuipazhit hyri më pas në kabinë dhe arriti të stabilizonte avionin, sipas tij.
Netnayahu tha se një nga autorët ishte arrestuar.
“Avioni u ul i sigurt në aeroportin e Tabukut në Arabinë Saudite dhe të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti që kreu sulmin me thikë është arrestuar dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë e vazhdueshme të pasagjerëve dhe kthimin e tyre të shpejtë në shtëpi. Kam udhëzuar strukturat e sigurisë që të përgatiten për kërcënime të tjera të mundshme”, tha Netanyahu.
Të dhënat e Flightradar24 tregojnë se avioni humbi papritur afro 14 mijë këmbë lartësi në më pak se 30 sekonda, përpara transmetimit të sinjalit të parë të emergjencës.
Më pas u transmetua edhe një sinjal që mund të tregonte ndërhyrje të paligjshme në fluturim.
Të dy pilotët janë shtruar në spital me lëndime, sipas aeroportit të Tabukut.
Një prej zyrtarëve izraelitë të cituar nga Reuters e identifikoi personin e dyshuar si shtetas të Omanit. Autoritetet saudite po e marrin atë në pyetje, sipas Netanyahu-t.
Vlerësimi aktual i zyrtarëve izraelitë është se incidenti mund të ketë qenë një tentativë për sulm terrorist. Hetimet për rrethanat dhe motivin e incidentit vazhdojnë.