
Tregu i automjeteve në Shqipëri vijon të zgjerohet me ritme të larta, ndërsa një zhvillim gjithnjë e më i dukshëm është rritja e makinave elektrike dhe pesha e markave kineze. Të dhënat për periudhën janar–shtator 2026 tregojnë se janë regjistruar për herë të parë 74,168 mjete, prej të cilave 58,986 janë autovetura.
Regjistrimet arritën nivelin më të lartë në muajin qershor, me 9,915 mjete, ndërsa korriku pasoi me 9,614. Në shtator u regjistruan 7,639 mjete, duke shënuar një ngadalësim krahasuar me muajt e pikut të verës. Në janar ishin regjistruar 6,895 mjete, në shkurt 7,306, mars 7,891, prill 8,707, maj 8,116 dhe gusht 8,085.
Tirana përqendron pjesën më të madhe të tregut. Në Drejtorinë Rajonale të Tiranës rezultojnë 31,549 regjistrime të reja, ose mbi 42% e totalit kombëtar. Durrësi renditet i dyti me 11,975 mjete, i ndjekur nga Fieri me 5,708, Elbasani me 4,161 dhe Shkodra me 4,146.
Në Vlorë janë regjistruar 3,103 mjete, në Laç 3,034, Korçë 2,646, Berat 2,335, Peshkopi 1,581, Kukës 1,535, Sarandë 1,462 dhe Gjirokastër 933.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është origjina e mjeteve. Koreja e Jugut kryeson me 19,509 mjete, ndërsa Kina është ngjitur në vendin e dytë me 11,848 mjete. Pasojnë Gjermania me 8,930 dhe Italia me 8,552 mjete. Nga Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 6,104 mjete, nga Zvicra 5,056 dhe nga Kanadaja 2,984.
Por ndryshimi më i fortë po ndodh në segmentin e automjeteve elektrike. Deri në fund të shtatorit rezultojnë 7,209 autovetura 100% elektrike të regjistruara, ndërsa numri total i mjeteve elektrike të kategorive të ndryshme arrin në 7,793.
Vetëm gjatë muajit shtator janë regjistruar 716 mjete elektrike, duke treguar se ky segment po zë një pjesë gjithnjë e më të dukshme të tregut të automjeteve.
Në këtë kategori dominimi i markës kineze BYD është i theksuar. Gjatë nëntë muajve janë regjistruar 4,891 autovetura elektrike BYD, ndërsa totali i mjeteve të kësaj marke në kategorinë elektrike arrin në 4,897. Kjo do të thotë se BYD përfaqëson rreth 68% të të gjitha autoveturave elektrike të regjistruara gjatë periudhës.
Pas saj renditen AION me 383 autovetura elektrike, Volkswagen me 343, Wuling me 217 dhe Changan me 178. Në listë shfaqen gjithashtu Fang Cheng, Geely, Avatr dhe Xpeng, duke evidentuar praninë në rritje të prodhuesve kinezë në tregun shqiptar.
Në tregun e përgjithshëm të autoveturave, megjithatë, markat tradicionale europiane vazhdojnë të kenë një peshë të madhe. Volkswagen rezulton me 12,121 regjistrime, Mercedes-Benz me 10,919 dhe Audi me 7,462. Hyundai regjistron 5,519 mjete, Toyota 2,695, BMW 2,032, Ford 1,951 dhe Land Rover 1,622.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se tregu shqiptar vazhdon të mbështetet në masë të madhe te automjetet e përdorura. Vetëm 20% e autoveturave të regjistruara janë 0–4 vite të vjetra, ndërsa 7.5% i përkasin grupmoshës 5–8 vjet. Pjesa më e madhe, 51.9%, janë automjete 9–15-vjeçare, ndërsa 20.6% janë mbi 15 vjet të vjetra.
Kjo do të thotë se më shumë se 7 në 10 autovetura të regjistruara gjatë nëntëmujorit janë mbi 9 vjet të vjetra, duke treguar se paralelisht me rritjen e shpejtë të automjeteve elektrike, importi i makinave relativisht të vjetra vazhdon të dominojë strukturën e tregut.
Sipas të dhënave, 75.7% e mjeteve janë regjistruar nga individë, kundrejt 24.3% nga subjekte. Autoveturat përbëjnë rreth 79.5% të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri gjatë janar–shtatorit 2026. (Ekofin.al)