Bojkoti i avokatëve bllokon GJKKO-në, KLGJ ndërhyn për të gjetur gjuhën e përbashkët

23 October 2026, 11:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bojkoti i avokatëve bllokon GJKKO-në, KLGJ ndërhyn për
Ilir Rusi, kreu i KLGJ

Bojkoti i avokatëve që ka krijuar një ngërç në Gjykatën e Posaçme, ka detyruar Këshillin e Lartë Gjyqësor të ndërhyjë për normalizimin e situatës. KLGJ ka zhvilluar një takim me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë për të diskutuar situatën e krijuar nga bojkoti dhe për të gjetur rrugët e mundshme drejt normalizimit të marrëdhënieve me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).  

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me situatën e krijuar, duke propozuar edhe masa konkrete që synojnë zgjidhjen e problematikave dhe rikthimin në normalitet të procesit gjyqësor. Në përfundim të diskutimeve, palët kanë rënë dakord që përfaqësuesit e KLGJ-së t’ia përcjellin qëndrimet dhe propozimet e Dhomës së Avokatisë edhe GJKKO-së, me synimin për të arritur një dakordësi mes palëve. Ndër kërkesat e Dhomës ka qenë edhe rikthimi i normalitetit me proceset në Gjykatën e Posaçme.  

Takimi shihet si një hap në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse propozimet e paraqitura do të sjellin një marrëveshje që do t’i hapë rrugë normalizimit të situatës dhe përfundimit të bojkotit të avokatëve. Për momentin, nuk ka një dakordësi përfundimtare të konfirmuar, ndërsa pritet që qëndrimet e palëve të diskutohen edhe me përfaqësuesit e GJKKO-së.  

Dhoma e Avokatisë vendosi të bojkotonte të gjitha seancat e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkak se kundërshtojnë rregulloren e re të paraqitur nga kjo gjykatë. Fillimisht ata merrnin pjesë në seancat për caktimi ne masave të sigurisë, por më pas, edhe këto seanca u bojkotuan duke krijuar një kolaps me shtyrje të vazhdueshme. Deri më tani, GJKKO ka vendosur disa gjoba ndaj avokatëve, teksa Maksim Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë, ka deklaruar se ai avokat që prish bojkotin, rrezikon heqjen e licencës.  

Deri më tani, vetëm një avokat e ka humbur licencën për këtë arsye. Ai është Lefter Xhengo, i cili pasi mori pjesë në seancën për masën e sigurisë ndaj administratorit të inceneratorit të Elbasanit. 


Video