
Policia sekuestron 126 doza të dyshuara kokaine, me peshë rreth 109 gramë. I riu u ndalua gjatë një operacioni në aksin e vjetër Mamurras–Thumanë.
Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se transportonte kokainë me taksi nga Tirana drejt Mamurrasit, me qëllim shitjen e saj.
Në pranga ka rënë Salvador Sula, 31 vjeç, i lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Destinacioni”, të finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit.
Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së informacionit për transportimin e lëndës narkotike, shërbimet policore organizuan ndërhyrjen në aksin e vjetër Mamurras–Thumanë.
Në kryqëzimin e Fushë-Mamurrasit, efektivët ndaluan automjetin taksi me të cilin udhëtonte 31-vjeçari.
Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale rreth 109 gramë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.