Më shumë fonde për PPP-të në shëndetësi, rritet financimi edhe për paketat në privat

2 February 2022, 08:23Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Më shumë fonde për PPP-të në shëndetësi,

Buxheti për financimin e spitaleve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të jetë më i madh për vitin 2022, në raport me një vit më parë.

Rritja më e madhe shkon për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ndërkohë edhe pagesat për kontratat e partneritetit publik privat, sikurse është koncesioni i laboratorëve, dializës apo strelizimi i instrumente kirurgjikalë do të jenë më të larta gjatë këtij viti.

Në total, për vitin 2022, buxheti i miratuar është 29,5 mld lekë, apo rreth 5 mld lekë më shumë se viti që lamë pas.

Ndërkohë që, sa i takon PPP-ve, shuma totale që do iu shkojë privatëve është 4.1 mld lekë, nga të cilat 1.57 mld lekë janë për PPP-në e laboratorëve.


Në krahasim me vitin 2021, ky buxhet është 345.47 mln lekë më i lartë.

Rritje e pagesave është parashikuar edhe për të tjera shërbime, që gjithashtu ofrohen në spitale private. Kështu përfshihen paketat e kardiologjisë, kardiokirugjisë, transplanti i veshkës, etj., ku për ofrimin e shërbimeve janë nënshkruar kontrata të veçanta me disa spitale private, që operojnë krahas spitaleve shtetërorë.

Në total, për paketat e shërbimeve, buxheti për vitin 2022 është rreth 3.5 mld lekë apo rreth 307 mln më shumë sesa viti i kaluar.

Ndërkaq, sa i takon spitaleve publike, buxheti më i lartë është parashikuar për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me një vlerë totale prej rreth 7 mld lekësh apo 1.53 mld lekë më shumë se viti 2021, ndërsa pas saj vijnë spitalet e Durrësit dhe Shkodrës, me nga rreth 1 mld lekë. Për spitalin memorial Fier buxheti I miratuar është 874.8 mln lekë.

 

 


Video