
Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë të hënë projektligjin për burimet ujore, i cili është propozuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Objektivi kryesor i këtij projektligji është të sigurojë cilësinë dhe përdorimin e mirë të burimeve ujore.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, theksoi se qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja dhe ruajtja e burimeve ujore, duke promovuar një përdorim racional për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Projekti është iniciuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe gëzon mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim.
Gerta Lubonja, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, shpjegoi disa nga pikat kryesore të projektligjit. “Në fushën e menaxhimit të ujërave, ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të përshtatjes së legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të integrimit”- u shpreh Lubonja
Objektivat kryesore të projektligjit përfshijnë përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së ujit, mbrojtjen dhe restaurimin e ekosistemeve ujore, përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ujit.
Në një raport të Këshillit të Lartë të Shërbimeve, në vitin 2022, u konstatua se burimet ujore në vend ende nuk janë monitoruar në mënyrë adekuate. Raporti thekson se, me gjithë rritjen e të ardhurave nga lejet për shfrytëzimin e burimeve ujore, ende ka një numër të lartë të përdoruesve të jashligjshëm.