Mbështetja për të papunët, qeveria jep vetëm 16% të shumës që arkëton nga sigurimi i posaçëm për këtë qëllim

29 March 2022, 12:42Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mbështetja për të papunët, qeveria jep vetëm 16%
Foto ilustruese

Qeveria akordon fonde për të papunët, shumë më pak se sa arkëton nga një përqindje e posaçme e sigurimeve që punëdhënësi bën për “Sigurimin e Papunësisë”.

Anomalinë e zbuloi Banka Botërore, në një analizë mbi zhvillimet e fundit në tregun shqiptar të punës.

Në kontributet e sigurimeve shoqërore përfshihet një kontribut prej 0.9% nga punëdhënësi për sigurimin e papunësisë. Kontributet totale arrijnë në 24.5% të pagës bruto, prej së cilës 14% paguhen nga punëdhënësi.

Në vitin 2019, buxheti i shtetit arkëtoi të ardhurat nga sigurimet shoqërore në shumën 84, 3 miliardë lekë. Llogaritjet tregojnë se të ardhurat që burojnë nga 0.9% i kontributeve që sigurojnë papunësinë janë 3 miliardë lekë. Shpenzimet buxhetore në të njëjtin viti ishin 504 milionë lekë. Qeveria në vitin 2019 dha vetëm 16% të arkëtimeve ndaj pagesës së papunësisë.

Simulimet e bëra nga Banka Botërore tregojnë se 0.9% e sigurimeve të financuara nga punëdhënësi, nëse do të përdorej për qëllimin për të cilin paguhet, do të siguronte një mbështetje të konsiderueshme për të papunët.

Një pagesë dinjitoze e papunësisë do të ndihmonte shqiptarët të vazhdojnë kërkojnë një pune dinjitoze në bazë të aftësive që kanë.

Për shkak të përfitimeve të ulëta njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të nxitojnë për të gjetur një punë të re kur pushohen nga puna. Qeveria mund të konsiderojë një sërë reformash për të përmirësuar skemat e mbështetjes për të papunët.

 


Video