Hapet drita jeshile për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, një segment mjaft i rëndësishëm për turizmin në vend. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për Loti 8 (Sistemimi dhe Rivitalizim i Skarpateve) me një fond limit prej 1.4 miliardë lekësh ose 12 milionë euro.
Ndërsa pret ofertat e kompanive të interesuara deri në datën 15 prill 2022. ARRSH ka ftuar të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin ofertat e tyre për ndërtimin e këtij aksi rrugor.
Rruga Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi prej 34 kilometrash dhe është cilësuar një nga akset me prioritare që shkurton me 3 orë kohë udhëtimin nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit në jug.
Ndërtimi i këtij aksi ishte përzgjedhur në 5 veprat kombëtare që qeveria parashikonte të ndërtoheshin përmes skemës së Partneritetit Publik Privat. Por më pas u tërhoq nga kjo skemë dhe vendosi që ndërtimi i saj të bëhet me fonde nga buxheti i shtetit. Ky segment rrugor ka nisur të ndërtohet që në vitin 2007, ky aks do të financohet deri në vitin 2024.

VOXNews.al