Ambasadori i ri izraelit në Tiranë: Teoritë konspirative dhe të rreme duan të shkatërrojnë marrëdhëniet tona miqësore

7 November 2026, 20:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ambasadori i ri izraelit në Tiranë: Teoritë konspirative dhe

Ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik, pas dorëzimit të letrave kredenciale te presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Në një reagim të publikuar në platformën X, diplomati izraelit e cilësoi marrjen e detyrës si një moment të rëndësishëm, duke u angazhuar për forcimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të dy vendeve.

Kaynar theksoi se Shqipëria dhe Izraeli, si dy vende të vogla, me shoqëri të larmishme dhe histori të gjata, kanë potencial për të zgjeruar bashkëpunimin në një sërë sektorësh strategjikë.

Mes fushave prioritare ai përmendi teknologjinë, industrinë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin, duke i konsideruar si mundësi për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ambasadori u zotua se gjatë mandatit të tij do të punojë për promovimin e këtyre mundësive, duke garantuar njëkohësisht transparencë dhe trajtim të drejtë në veprimtarinë e ambasadës.

Një pjesë të veçantë të mesazhit ia kushtoi rëndësisë së besimit mes shqiptarëve dhe izraelitëve për zhvillimin ekonomik.

“Besimi mes izraelitëve dhe shqiptarëve është thelbësor për krijimin e mundësive të biznesit, vendeve të punës dhe investimeve”, shkroi Kaynar.

Ai paralajmëroi se ky besim mund të dëmtohet nga teoritë konspirative dhe narrativat e rreme, duke theksuar angazhimin e tij dhe të ambasadës për t’i kundërshtuar ato.

"Është e lehtë të shkatërrohet ky besim përmes teorive konspirative dhe narrativave të rreme; megjithatë, unë dhe Ambasada do të përpiqemi t'i hedhim poshtë ato, duke siguruar që e vërteta dhe besimi të mbizotërojnë", shkruan ai.

Sipas diplomatit, ruajtja e së vërtetës dhe besimit do të jetë pjesë e përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Le t’i përvishemi punës!”, përfundoi ambasadori mesazhin e tij, duke sinjalizuar nisjen e angazhimit diplomatik në Tiranë.


Video