Zjarri në hotelin "Brooklyn" në Vlorë, ndërron jetë 25-vjeçarja që pësoi djegie në 95% të trupit (po festonte ditën e parë të fejesës)

28 August 2026, 08:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zjarri në hotelin "Brooklyn" në Vlorë, ndërron
Ana Dyrmishi

Ka ndërruar jetë Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja nga Durrësi, e cila u plagos rëndë në zjarrin që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës më 16 gusht.

E reja pësoi djegie të rënda në rreth 95% të trupit dhe, pas trajtimit fillestar në Shqipëri, u transferua drejt Turqisë për të marrë mjekim të specializuar. Gjendja e saj vijoi të ishte kritike, por fatkeqësisht Ana nuk arriti ta fitojë betejën dhe ka ndërruar jetë ditën e djeshme.

Ana ndodhej në Vlorë së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldon, për të festuar ditën e parë zyrtare të fejesës. Një udhëtim që duhej të ishte një nga momentet më të bukura të çiftit, u shndërrua në një tragjedi.

Ajo jetonte së bashku me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës. Lajmi i ndarjes së saj nga jeta ka rënduar edhe më shumë dhimbjen e familjes, pas ngjarjes tragjike që i mori asaj shëndetin dhe tashmë edhe jetën.

Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, duke plagosur gjashtë persona. Disa prej tyre u detyruan të largoheshin nga godina përmes ballkoneve për t’u shpëtuar flakëve.

 


Video