
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e parukierit 26-vjeçar në Barletta të Italisë.
Sipas gazetës italiane, La Reppublica nëna e të riut italian është shprehur se, djali i saj nuk kishte të bënte fare me mafian shqiptare.
"Ai kishte një rreth njohjesh që nuk më pëlqente. Kemi debatuar për këtë.”, tha nëna e tij, Maria Marzocca.
Dhe pasi djali i saj u vra, ajo shkoi t’ua tregonte hetuesve.
“Kishim frikë, sepse këta janë njerëz të rrezikshëm, por nuk mund të ndalesha, ma kanë shqyer lëkurën dhe zemrën.”, u shpreh nëna e tij.
Vrasja e parukierit 26-vjeçar, Francesco Diviesti, ishte një "larje hesapesh" e planifikuar nga një grup droge.
Ky grup drejtohej nga një shqiptar 40-vjeçar i quajtur Igli Kamberi. Viktima u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vdekur katër ditë më pas.
Sipas prokurorëve Daniela Chimienti, Ettore Cardinali dhe Vito Valerio, autorët e vrasjes janë Igli Kamberi, Nicola Di Benedetto dhe Antonio Lanotte, të cilët e morën me forcë Diviestin nga Barletta dhe e çuan në një gurore mes Minervino-s dhe Canosa-s, ku e vranë me pesë plumba të qëlluar nga dy armë. Më pas trupi u dogj.
Krimi lindi nga një borxh prej 500 eurosh për një sasi droge që Diviesti kishte marrë nga grupi dhe më pas kishte menduar ta shlyente duke i ofruar Kamberit një makinë me qira. Pas kthimit të automjetit, 26-vjeçari kishte ende 300 euro pa paguar. Por ai kishte kundërshtuar kilometrazhin e bërë me makinën dhe kishte shpjeguar se nuk do të jepte para të tjera.
I riu u detyrua të gjunjëzohej dhe, pas plumbave të parë, mori goditje edhe në fytyrë. Mizoria e ekzekutimit duhej të shërbente si paralajmërim për të tjerët, përfshirë mikun e Diviestit, i cili ishte rrahur brutalisht në një lokal dhe që duhej të vdiste bashkë me të.
Sipas hetimeve të DIA-s dhe policisë së Andria-s, ai shpëtoi vetëm sepse më 25 prill u arrestua për armëmbajtje.
Kamberi në Barletta kishte ngritur një grup të qëndrueshëm dhe dominues në trafikun e drogës, fitimet milionëshe të të cilit dërgoheshin më pas në Shqipëri për t’u pastruar. Në dy operacione të DIA-s u sekuestruan 680 mijë dhe 400 mijë euro.
Përveç pesë arrestimeve në Barletta, u ekzekutuan edhe dhjetë masa sigurie në Shqipëri, në kuadër të një hetimi tjetër të koordinuar nga Prokuroria Speciale e Tiranës, me të cilën DDA e Barit vazhdon të bashkëpunojë, me nxitjen e prokurorit Roberto Rossi.