Zaptime pronash në zonën turistike, si nisi konflikti për pronësinë që çoi në arrestimin e Mark Frokut

30 October 2023, 09:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zaptime pronash në zonën turistike, si nisi konflikti për
Mark Frroku i arrestuar në vitin 2015

Një konflikt për pronësinë ka nisur prej disa javësh në Kepin e Rodonit. Gjithçka u bë publike kur një qytetar u ankua në emisionin investigativ Fiks Fare se po i rrethohej prona, megjithëse ai kishte një certifikatë pronësie. Rrethimi po i bëhej nga disa individë, të cilët iu hoqën si përfaqësues të Kishës Françeskane.

Por, ata vepronin me një leje të një firme tjetër dhe për më tepër të pezulluar. Pas hetimeve të emisionit u konstatua se për të njëjtën pronë kishte dy pronarë. Madje, me dy certifikata pronësie për të njëjtën sipërfaqe.

Por, skandali u thellua më tej kur përfaqësuesja e një firme që menaxhonte atë zonë deklaroi për emisionin investigativ se edhe rruga shtetërore që të çon te Kalaja apo Kisha e Kepit të Rodonit është bërë private. Madje, edhe përrenjtë dhe gjithçka tjetër që ndodhet në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua z. Bajram Koculi, nga fshati Shetaj në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës. Bajrami ankohet se ka një pronë familjare, të përfituar nga ligji 7501 në afërsi të hyrjes për në Kepin e Rodonit. Thotë se është pajisur normalisht me certifikatë pronësie, e ka rifreskuar. Por, disa persona kanë shkuar në atë zonë dhe kanë tentuar që ta rrethojnë. Sipas tij, personat i janë prezantuar sikur janë të Kishës Françeskane, por që në fakt janë individë të ndryshëm që s’kanë asnjë leje.

Madje, ata janë konfliktuar disa herë. “Kam shkuar në të gjitha institucionet, asnjë nuk vepron. Unë kam një certifikatë pronësie. Nëse do të ishte e Kishës, do t’ia falja. Por e kam me certifikatë. Dikur ata që menaxhonin këtë zonë nuk e rrethuan pasi ishte prona ime. Erdhën këta të tjerët dhe kanë çuar tuba e rrjeta. Nuk e di çfarë po bëjnë. Asnjë s’më ndihmon, prandaj kam kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare”, pohon denoncuesi.

Bajrami thotë se ka denoncuar edhe në polici dhe te Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, por askush nuk ka reaguar. Pas denoncimit, Bajrami shkon te toka por shikon që në atë vend po punohej. Madje, edhe te pjesa e tij me certifikatë. Disa persona i thonë se duhet të shkojë në polici dhe jo të shkojë të prona.

Një ditë para se të shkonte Fiksi në Kepin e Rodonit, policia dhe IMT-ja i kishin thënë se do të shkonin në orën 09.00 të nesërmen (ditën që shkuam). Por, asnjë punonjës shtetëror në këtë orë nuk shkoi. Bajrami telefonon kreun e Njësisë Administrative Ishëm, i cili i thotë se “do të vijmë, po unë s’jam call center”. Administratori i thotë se punimet janë pezulluar. Më pas telefonon inspektorin e policisë, po shefi i kishte bllokuar numrin. Më pas, Fiksi telefonon të njëjtin numër dhe kësaj herë arrin të lidhet me inspektorin. “Do të vijmë së shpejti” thotë inspektori dhe kur pyetet nëse kanë apo jo leje, inspektori mbyll telefonin.

Disa orë pas lajmërimit të institucioneve, IMT-ja e Bashkisë së Durrësit vjen në terren. Verifikon dokumente dhe pas disa minutash thotë se “do të pezullojmë vendimin për rrethimin”. Fiksi e pyet se përse, na thotë se “të dyja palët kanë certifikatë pronësie”. Pra, të dyja palët kanë certifikata! Po si është marrë leja e rrethimit të kësaj prone?! Fiks Fare ka siguruar dokumentin e lëshuar nga Bashkia e Durrësit, leje e cila ka dalë me emrin e firmës Albania Turist Resort. Ne biseduam me administratoren e kësaj kompanie, znj, Ana Shtjefni, për procedurat e ndjekura. Ajo tha se ka kërkuar pezullimin e kësaj leje, pasi nga një letërkëmbim me Kadastrën ka rezultuar se sipërfaqja e rrethuar ishte e z. Bajram Koculi. Madje, znj. Shtjefni tha se “të gjithë volumet e pasurive te Kepi i Rodonit, që përfshijnë edhe rrugën e Pyllin, janë sekuestruar nga SPAK në Kadastër”. Ka dyshime se janë kthyer në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, administratorja e kësaj kompanie pohoi për Fiks Fare se edhe rruga shtetërore është privatizuar para 18 muajsh.

Konflikti degjeneroi ditën e djeshme kur pati një përplasje mes banorëve dhe përfaqësuesve të Kishës. 

 


Video