Duke folur mbi vrasjen e ndodhur së fundmi te “Kodra e Diellit” në Tiranë, pedagogu i kriminalistikës Ervin Karamuço thekson se është problematike rrezikshmëria në një zonë ku banojnë gjyqtarë dhe prokurorë.
'Na kanë ndodhur dy ngjarje në ‘Kodrën e Diellit’, por mbi të gjitha aty banojnë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, aty ka roje. Në dy pika janë të armatosur, me vëzhgime kamerash, dhe këta kanë penetruar për të shkaktuar një ngjarje të rëndë. E para ka qenë për motive të dobëta.
Problemi qëndron te rrezikshmëria e një zonë ku banojnë njerëz që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti me ligj. Duhen marrë masa në kuptimin e rretheve të kuqe, të ndalimit të menjëhershëm dhe kontrollit më të mirë të territorit.
Disa persona të kësaj pozite zgjedhin të qëndrojnë në qendra rezidenciale sepse janë më të mbrojtur. Nëse na ndodhin këto ngjarje do të thotë që rreziku është shtuar”, tha Karamuço.
Lidhur me vonesën mbi 48 orë nga premtimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë për vdekjen e Lear Kurtit, Karamuço tha se nëse rezulton që droga e gjetur në trupin e të ndjerit s’ka qenë në sasinë për të shkaktuar overdozë, duhet të ketë procedim për vrasje.