U miratua sot nga qeveria, çfarë është CERT-i, ekipi për përgjigjen ndaj emergjencave të sigurisë kibernetike

3 December 2025, 18:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
U miratua sot nga qeveria, çfarë është CERT-i, ekipi
Foto ilustruese

Qeveria shqiptare ka miratuar sot një vendim për ngritjen e një ekipi të përgjigjes ndaj emergjencave dhe krizës së sigurisë kibernetike. Ekipi, i cili do të njihet shkurt si CERT, ngrihet pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).

CERT-i do të jetë një strukturë ad hoc, i cili hap pas hapi do të mbajë përgjegjësi për trajtimin në kohë dhe me eficencë të emergjencave dhe krizës së sigurisë kibernetike në Shqipëri.

Si do të përbëhet CERT-i?

Ekipi do të kryesohet nga AKSK-ja, por do të ketë përfaqësues të disa prej institucioneve më të rëndësishme publike.

Bëhet fjalë për përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Shërbimi Informativ i Shtetit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale, Policia e Shtetit dhe nga ekspertë të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertë të teknologjisë operacionale.

Çfarë është AKSK-ja?

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit Nr. 25/2024 “Për Sigurinë Kibernetike”, Ligjit Nr.107/2015 “Për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara”, Ligjit Nr.9880/2008  “Për Nënshkrimin Elektronik”, si dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tyre.

Synimi i AKSK-së është formimi i një institucioni që garanton sigurinë dhe besueshmërinë e shërbimeve elektronike në Shqipëri, duke zbatuar ligje dhe standarde ndërkombëtare me përpikmëri të plotë. Ky institucion synon të rrisë besimin e përdoruesve në nënshkrimet elektronike, identifikimet elektronike dhe shërbimet e besuara, ndërsa forcon sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit në nivel kombëtar.


Video