Një shtetas shqiptar i dënuar me 7 vite burg nga gjykata italiane për trafik droge në kuadër të një grupi kriminal, është vënë në pranga ditën e sotme në aeroportin e Bergamos.
Autoritetet italiane nuk e kanë bërë me dije emrin e shqiptarit të arrestuar, por mësohet se ai është një 45-vjeçar i dënuar për një sërë krimesh të kryera mes vitit 2000, si pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte heroinë dhe kanabis.
Shqiptari gjithashtu rezulton se kishte simuluar vjedhjen e disa makinave, duke mashtruar me shuma të mëdha parash kompanitë e sigurimeve.
45-vjeçari ishte kthyer në Shqipëri ku kishte rinovuar dokumentet e identifikimit si karta e identitetit me gjeneralitete të ndryshuara për t’i shpëtuar gjurmimit dhe ishte martuar. Ai planifikoi rikthimin në Itali, por u vu në pranga në Aeroportin e Bergamos.
Shqiptari do të transferohet tashmë në burgun e Bergamos për të vuajtur dënimin.