
“Detyrim paraqitje” ka vendosur gjykata për 4 të rinjtë të cilët u arrestuan gjatë protestës së 20 Shkurtit e thirrur nga opozita që u mbajt para Kryeministrisë.
4 të rinjtë janë: Kindi Toli, Andrea Malia, Bledar Kola dhe Ismet Stefanis.
Konkretisht ata akuzohen për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe përdorim të lëndëve piroteknike.
Ndërkohë sipas policisë ata kanë hedhur kapsolla, 21 flakadanë, si dhe 7 shishe molotov të montuara në mënyrë artizanale. Pavarësisht përdorimit të mjeteve piroteknike, në protestën e mbajtur pasditen e së martës nuk pati asnjë efektiv të plagosur.
Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat pas vendimit tha se protestuesit u morën peng për dy ditë nga policia. Ai hodhi akuza ndaj policisë duke thënë se tre efektivë i kanë dhunuar qytetarët gjatë momentit të arrestimit, por edhe kur kanë qëndruar në komisariat. Sipas tij, dhuna është ushtruar me urdhër politik.
“Policët që ushtruan dhunë do të mbajnë përgjegjësi penale”, tha Bardhi