Vdes në burg një nga të arrestuarit për çështjen e inceneratorëve.
Enver Sheshi pësoi arrest kardiak ditën e djeshme në Burgun 313 në Tiranë.
I ndjeri kishte kërkuar zëvendësimin e masës për shkaqe shëndetësore.
Ai ishte rënduar psikologjikisht nga akuzat, të cilat i konsideronte të padrejta.
Mësohet se Sheshi i ka parashtruar shkaqet shëndetësore në Apelin e GJKKO, por gjyqtarja Ilirjana Olldashi, refuzoi kërkesën duke caktuar “arrest me burg”.
Familjarët e të ndjerit do t’i drejtohen me kallëzim penal prokurorëve të SPAK dhe gjykatësve që e mbajtën në burg.
Enver Sheshi, ishte i akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”
Sipas SPAK gjatë periudhës 01.03.2017-01.05.2017, shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka realizuar blerje fiktive nga disa shoqëri mes të cilave edhe “Leli-17”sh.p.k, me administrator Enver Sheshin.
Megjithatë Sheshi rezulton se ka kryer më parë dënimin për të njëjtën vepër penale. Ai u dënua me 6 vite burg në maj të vitit 2020, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të krijimit të skemave mashtruese me TVSH-n.
Ai u ri-arrestua nga SPAK për të njëjtën vepër penale, i cili u bazua "qorrazi" në akuzat publike të Monika Kryemadhit në shkurt të 2022-it.
