Reportazhi i BBC: "Dhëmbët e Tiranës”, Shqipëria hyn në garën e turizmit mjekësor

8 September 2026, 13:02Aktualitet SHKRUAR NGA GUY DELAUNEY
Reportazhi i BBC: "Dhëmbët e Tiranës”, Shqipëria
Anthony Hook

BBC

Anthony Hook është ulur në karrigen e dentistit dhe buzëqesh para pasqyrës së vogël që mban në dorë. I është kërkuar të pozojë për disa fotografi për të treguar buzëqeshjen e tij të re dhe 58-vjeçari nga Boltoni, në Greater Manchester, e bën këtë me shumë kënaqësi.

Ai është tashmë pronar krenar i një seti të ri dhëmbësh, atë që me shaka mund ta quash “dhëmbët e Tiranës”.

Nuk është ende një markë. Por mund të jetë një slogan i përshtatshëm për një Shqipëri që po hyn gjithnjë e më fuqishëm në tregun e turizmit mjekësor.

Qendra e këtij zhvillimi është Tirana. Dhe sapo të dallosh një dhëmb të parë, nis t'i shohësh kudo.

Nëpër rrugët e kryeqytetit shfaqen dhëmbë të mëdhenj, të ndriçuar, që reklamojnë klinikat dentare. Nuk janë aspak gjurmë të ndonjë sherri të natës, por reklama që tregojnë se një klinikë dentare është vetëm pak hapa më tej.

Në zonën metropolitane të Tiranës ka rreth 400 klinika dentare, shumica prej tyre në qendër të qytetit. Për një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh, numri është i konsiderueshëm.

Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë dentistë shqiptarë po kërkojnë pacientë jashtë vendit. Shumë prej klinikave kanë krijuar faqe interneti dhe tabela në anglisht e italisht, krahas shqipes.

Anthony Hook u tërhoq drejt Shqipërisë fillimisht për një arsye krejt tjetër. Ai erdhi në Tiranë vitin e kaluar për të parë ndeshjen e Anglisë kundër Shqipërisë.

Por gjatë qëndrimit në kryeqytet, vëmendjen ia tërhoqën tabelat e shumta të klinikave dentare.

Kostoja ishte një tjetër arsye.

Një implant dentar në Shqipëri kushton zakonisht rreth 600 euro për dhëmb, një çmim i ngjashëm me atë në Turqi, prej vitesh një nga destinacionet kryesore për evropianët që kërkojnë trajtime dentare më të lira.

Në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani, i njëjti trajtim mund të kushtojë lehtësisht katër herë më shumë.

Për Hook, oferta ishte shumë tërheqëse.

Ai zgjodhi Shqipërinë dhe jo Turqinë, pjesërisht për shkak të raportimeve mediatike për raste ku trajtimet dentare apo transplantet e flokëve në Turqi kishin përfunduar keq.

Madje, edhe Ministria e Jashtme britanike paralajmëron për rreziqet që lidhen me procedurat mjekësore në Turqi, duke thënë se është në dijeni të shtatë shtetasve britanikë që kanë vdekur atje në vitin 2025 pas procedurave mjekësore.

Hook thotë se nuk do të shkonte në Turqi, pasi kishte dëgjuar “shumë gjëra të këqija”.

“Hyra në internet dhe e kërkova siç duhet. M'u deshën dy ditë për të bërë kërkimet, sepse nuk jam nga ata që hidhen menjëherë në diçka”, tregon ai.

Pas disa udhëtimesh drejt Shqipërisë, Anthony tani ka një gojë plot me implante të reja.

Dhe është, natyrisht, gjithë buzëqeshje.

“Do të vija këtu një herë në muaj për pushime, nëse do të mundja”, thotë ai duke qeshur.

Elite Dental është një nga klinikat më të mëdha në Tiranë. Ajo është e licencuar nga autoritetet shqiptare të shëndetësisë dhe të gjithë 15 dentistët që punojnë aty janë gjithashtu të licencuar.

Drejtuesi i klinikës, Ardtur Dema, thotë se nuk është dakord me dëmtimin e dhëmbëve të shëndetshëm vetëm për arsye estetike.

Sipas tij, qëllimi kryesor duhet të jetë “ndryshimi i jetës së njerëzve”, duke u rikthyer atyre aftësinë për të përtypur dhe, sigurisht, për të buzëqeshur.

Dema beson se për sa kohë Shqipëria mbetet jashtë Bashkimit Evropian, çmimet e trajtimeve do të vazhdojnë të jenë relativisht të ulëta.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i fluturimeve me kosto të ulët drejt Tiranës ka bërë që pacientët e huaj të jenë po aq të zakonshëm sa ata vendas.

Një pacient mund të vijë nga Torino, ashtu siç mund të vijë nga Tirana.

Por rritja e shpejtë e turizmit mjekësor sjell edhe shqetësime.

Dema paralajmëron se operatorët jo seriozë mund të dëmtojnë të gjithë sektorin. Ai është anëtar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Mjekësor, të sapokrijuar, por shumë ofrues të tjerë ende nuk janë pjesë e saj.

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria po përpiqet të përshtatet me një realitet të ri, pas pesë vitesh gjatë të cilave numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri është më shumë se dyfishuar.

Sipas tij, po shqyrtohet mundësia e krijimit të një lloj certifikimi zyrtar për strukturat që ofrojnë shërbime të turizmit mjekësor, edhe pse ende nuk është përcaktuar mënyra se si do të funksiononte një sistem i tillë.

“Është një industri e re që është brenda ombrellës së industrisë së turizmit, e cila po tregon një potencial të madh dhe ku ka njerëz shumë të mirë”, shprehet Rama.

Ai shton se qeveria dëshiron të ndihmojë ofruesit seriozë që të mbijetojnë dhe të shmangë konkurrencën e pandershme.

Turizmi mjekësor në Shqipëri nuk kufizohet vetëm te klinikat dentare.

Gjithnjë e më shumë vizitorë po mendojnë për vijën e flokëve, krahas vijës bregdetare.

Në Tiranë janë hapur klinika për transplantin e flokëve. Disa prej tyre punësojnë specialistë turq, ndërsa të tjera janë degë të kompanive me bazë në Turqi.

Një prej tyre është Vatanmed në Tiranë.

Specialistja e shitjeve dhe konsulentja shëndetësore Ayşe Mina Kasemi e përshkruan kompaninë si një “markë globale”, me 15 klinika në disa vende.

Sipas saj, kjo shtrirje ndërkombëtare krijon besim te pacientët që udhëtojnë nga jashtë për trajtim.

Por Shqipëria ofron edhe një avantazh tjetër: pushimet.

“Kur njerëzit vendosin të bëjnë transplant flokësh këtu në Shqipëri, ata duan gjithashtu të bëjnë pushime këtu, sepse Shqipëria është një vend shumë i bukur”, thotë Kasemi.

Megjithatë, ajo paralajmëron pacientët se ditët e para pas transplantit kërkojnë kujdes.

“Për dy ose tre ditët e para duhet të jenë të kujdesshëm – nuk lejohen të ekspozohen në diell.”

Për Anthony Hook, dielli nuk është problem.

Ai e mban kokën të rruar dhe nuk ka ndërmend ta pasojë trajtimin dentar me një transplant flokësh.

Plani i tij është më i thjeshtë: të shijojë Shqipërinë.

Plazhet, peizazhet, Tirana dhe ushqimi janë pjesë e tërheqjes.

“Ka shumë gjëra për të bërë në Tiranë… ka shumë gjëra për të bërë përgjatë bregdetit, është absolutisht mahnitëse”, thotë ai.

Dhe ka edhe një arsye tjetër pse dëshiron të rikthehet shpejt.

“Dua ta bëj tani, para se të bëhet shumë popullore dhe të prishet si çdo vend tjetër.”

Me dhëmbët e rinj, shijimi i kuzhinës shqiptare do të jetë padyshim pjesë e programit të tij.

Në fund të fundit, ajo buzëqeshje e re do të shkëlqejë edhe në fotografitë e pushimeve.

 


Video