Raporti i delegacionit të OKB: Numri i të paraburgosurve në Shqipëri është shqetësues! Burgjet e mbipopulluara dhe pa kujdes shëndetësor

23 April 2024, 18:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Raporti i delegacionit të OKB: Numri i të paraburgosurve në
Foto ilustruese

Shqipëria duhet të bëjë përpjekje shtesë për të luftuar mbipopullimin duke reduktuar paraburgimin, kështu deklaruan ekspertët e OKB-së për parandalimin e torturës pas vizitës së tyre të parë në vend. Ata gjithashtu theksuan nevojën për të siguruar qasje në kujdes shëndetësor cilësor në paraburgim.

“Numri i lartë i të paraburgosurve është shqetësues. Duhet të ndërmerren hapa pa vonesë për të reduktuar numrin e të burgosurve në Shqipëri, si një mjet për të parandaluar trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”, tha Vasiliki Artinopoulou, kryetare e delegacionit të Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës (SPT).

“Ne mirëpresim masat ekzistuese për të adresuar mbipopullimin, siç është Ligji për Amnistinë dhe ndërtimi i burgjeve të reja. Megjithatë, objektet e reja do të mbushen shpejt nëse qeveria nuk arrin të trajtojë shkaqet kryesore të mbipopullimit. Shteti palë duhet të përshpejtojë reformat në drejtësinë penale duke siguruar një zbatim efektiv të alternativave ndaj paraburgimit”, tha ajo.

SPT vizitoi Shqipërinë nga data 14 deri më 20 prill dhe ekzaminoi vende të ndryshme të privimit të lirisë, duke përfshirë burgjet, stacionet e policisë dhe institucionet psikiatrike. Gjatë këtyre vizitave të paparalajmëruara, delegacioni zhvilloi intervista konfidenciale me persona të privuar nga liria, roje të burgjeve, punonjës policie dhe personel shëndetësor. Delegacioni kreu vizita të përbashkëta në objektet e paraburgimit me mekanizmin parandalues kombëtar (MKP), organi i caktuar për parandalimin e torturës në vend.

Nënkomiteti u takua gjithashtu me autoritetet qeveritare, duke përfshirë Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Më tej, delegacioni i SPT-së vërejti akses të pamjaftueshëm të të paraburgosurve në kujdesin shëndetësor. “Jo vetëm që aksesi në kujdesin shëndetësor, përfshirë kujdesin mendor, është i vështirë, por edhe cilësia e shërbimeve është shqetësuese. Kjo çështje ndonjëherë përbën një kërcënim për jetët e njerëzve, duke shkaktuar vuajtje që mund të jenë keqtrajtime”, tha Artinopoulou.

SPT do të ndajë raportin e saj, i cili përfshin gjetjet dhe rekomandimet, me Shqipërinë. Raporti do të mbetet konfidencial derisa shteti të vendosë ta bëjë publik. Për më tepër, Nënkomiteti do të përgatisë një raport të veçantë, konfidencial për MKPT-në.

Delegacioni i SPT-së përbëhej nga Vasiliki Artinopoulou, kryetare e delegacionit (Greqi), Suzanne Jabbour (Liban), Nika Kvaratskhelia (Gjeorgji) dhe Zdenka Perović (Mali i Zi). Delegacioni shoqërohej edhe nga dy zyrtarë të të drejtave të njeriut nga Sekretariati i SPT-së.


Video