Në një intervistë për emisionin Breaking në Top News, Eduart Subashi, protestuesi që u tërhoq zvarrë nga rojet private në Zvërnec tregoi një dokument të marrjes në pronësi të tokës sipas ligjit 7501 në vitin 1991, por se nuk kishte mundur ta regjistrojë atë në Kadastër.
“Kemi shkuar dhe na thonin që nuk ka dalë ligji për Zvërnecin. Ne për 35 vite nuk kemi mundur ta kalojmë në pronësi tokën. Jemi të gjithë njësoj në fshat. Kemi certifikata pronësie dhe nuk bëjmë dot asgjë për pronat tona”, tha ai.
Megjithatë, pasja e një AMTP-je nuk të bën automatikisht pronar të tokës. Në 2018, Ministria e Drejtësisë pezulloi procesin e dhënies së titujve përfundimtare për pronat e ndara me ligjin 7501 në bregdet, duke cituar problematikat që parcelizimi i këtyre pronave kishte shkaktuar te investitorët dhe përfitimi i tyre përmes dokumentacioneve të falsifikuara.
Dy vite më vonë, Kuvendi miratoi ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, ku në nenet dhe aktet nënligjore të nxjerra prej tij përcaktohen rastet kur prona e ndarë me AMTP sipas ligjit 7501 nuk mund të regjistrohej.

Sipas akteve nënligjore, sipërfaqet që kishin ndryshuar zërin, nga tokë bujqësore në truall, vepër infrastrukturës publike, rërë bregdetare, plazh, apo sipërfaqe ujore nuk mund t’u regjistrohen tituj pronësie në Kadastrës.
Ndërsa në të gjitha rastet e tjera, pra kur toka është regjistuar si tokë bujqësore, Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim, AMTP, do të regjistrohet në kadastër dhe pronari do të marrë tapinë. Kjo është arsyeja e statusit të paqartë të pronës në Zvërnec, ku tokës bujqësore i është mbivendosur statusi i zonës së mbrojtur.
Në të njëjtën intervistë, protestuesi i dhunuar deklaroi se vetë jetonte në Greqi, se tokën e kishte lënë djerr, por se nuk ishte kundër investimit dhe kërkoi që të bëhej pjesë e tij me pretendimin se ishte pronar me AMTP.
“Jetoj në Greqi, por kam ardhur të mbroj tokën time në Zvernec. Investimet s’mund të bëhen duke grabitur tokat. Unë nuk e kam zhvilluar pronën në Zvërnec, e kam lënë në atë gjendje, por do ta zhvilloj në të ardhmen. Ne duam të njihemi si pronarë dhe pastaj jemi të hapur të dialogojmë me Qeverinë për çdo gjë”, tha ai.