Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë të tjera detaje për mega-operacionin e SPAK kundër bandave kriminale, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste.
Lala dha ndër të tjera edhe arsyen se përse u shpall në kërkim Arben Ndoka.
Gazetarja theksoi se ish-deputeti i PS-së dyshohet se ka nisur një fushatë për të ekzekutuar të gjithë ata persona, që ai mendonte se kanë marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
“I vetmi njeri politik i shpallur në kërkim është Arben Ndoka, ish-deputet i PS. Ai kishte nisur fushatë për ekzekutimin e të dyshuarve për vrasjen e vëllait të tij. Në këtë kuadër, dyshohet se ai është ndihmuar edhe nga efektivë të lartë policie.
Klodian Shahini rezulton pjesë e grupit kriminal që drejtohej nga Edison Reçi, që e informonte për hyrje-daljet e kundërshtarëve të tij. Personazh tjetër është dhe tjetër person, që dyshohet se trafikonte drogë në drejtim të Malit të Zi.
Pra kemi persona që drejtonin bandat dhe vrasës me pagesë, që vepronin për këta “drejtues” bandash. Operacioni po vazhdon dhe të tjera episode do të dalin në dritë”, tha Klodiana Lala për News 24.
Ndërkohë, i shumëkërkuari që rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022, Ervis Martinaj ka kërkuar të vrasë Durim Bamin. Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëhet me dije se Martinaj ka bashkëpunuar me ish-deputetin Arben Ndoka për vrasjen e Bamit.
Sipas SPAK, Martinaj dhe Ndoka kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit.
Gjithashtu, bëhet me dije se Emiljano Shullazi dhe Aldo Avdylaj, edhe pse në kushtet e paraburgimit kanë ndihmuar Ervis Martinajn dhe Arben Ndokën në realizimin e qëllimit kriminal që ishte vrasja e Durim Bamit.
Shullazi ka kontaktuar me të hetuarin T. B., të cilit i ka kërkuar të jetë ekzekutori i Bamit dhe gjithashtu ka siguruar detaje nga lëvizjet e tij, informacione që ia kaluar Ndokës.