"Petro Marko, shkrimtar i lirisë", Namik Dokle zbërthen librin për shkrimtarin e madh

29 April 2025, 13:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Petro Marko, shkrimtar i lirisë", Namik Dokle zbërthen
Namik Dokle, Melaim Zeka dhe Behar Gjoka

Në studion e Zona Zero në Top News analisti dhe gazetari Melaim Zeka priti dy figura të njohura të jetës kulturore dhe akademike shqiptare: shkrimtarin dhe ish-deputetin Namik Dokle, dhe studiuesin e shquar Behar Gjoka.

Tema e diskutimit ishte një vepër që po ngjall interes të madh në qarqet letrare dhe më gjerë, libri i sapobotuar “Petro Marko, shkrimtar i lirisë”, me autor Behar Gjokën.

Namik Dokle foli me përkushtim për punën disa vjeçare që kulmoi me botimin e këtij libri. Ai theksoi se ideja për të nisur një studim të plotë për figurën e Petro Markos lindi që në vitin 2019, gjatë një tryeze të organizuar nga Qendra Studimore “Pjetër Budi”, ku u hodh për herë të parë ideja për një vepër gjithëpërfshirëse mbi jetën dhe krijimtarinë e këtij shkrimtari të shumëdimensional.

“Petro Marko nuk është thjesht një autor proze,” u shpreh Dokle, “por një figurë që ka lënë gjurmë në të gjitha gjinitë: poezi, dramë, publicistikë. Ai ishte një njeri i kohës dhe i përjetësisë, që me jetën dhe veprën e tij u bë simbol i lirisë.”

Nga ana e tij, Namik Dokle ndau me publikun emocionin e pjesëmarrjes në promovimin e parë të librit, që u zhvillua në Himarë – vendlindja e Petro Markos. Ai e përshkroi ditën e promovimit si “një ditë feste intelektuale”, falë edhe mbështetjes së Bashkisë së Himarës dhe kryetarit të saj, Vangjel Tavo, që e bënë të mundur botimin dhe organizimin e aktivitetit.

“Petro Marko ishte dhe mbetet një nga simbolet më të forta të lirisë në letërsinë dhe historinë shqiptare,” tha Dokle. “Ai është ndoshta i vetmi shkrimtar në Shqipëri, dhe ndoshta edhe në botë, që është burgosur nga tri regjime të ndryshme: nga mbretëria e Zogut, nga fashistët dhe nga diktatura komuniste. Dhe, megjithatë, ai nuk u thye kurrë.”

Dokle solli edhe një detaj domethënës nga jeta e Markos: vendimi për të shkuar si vullnetar në Luftën e Spanjës. Ai ndau me publikun një episod prekës kur, përpara nisjes, Petro Marko e takoi Migjenin në Shkodër. Ky i fundit i kishte thënë:

“Po shkon të shkruash poemën tënde më të mirë, jo me fjalë, por me jetë.”


Video