Pas bashkive, Rama paralajmëron se do “shkund” edhe gjithë strukturat e kontrollit të territorit

10 August 2025, 11:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pas bashkive, Rama paralajmëron se do “shkund” edhe gjithë
Edi Rama

Në videomesazhin e publikuar mëngjesin e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime, siç ndodhi me bashkitë, edhe në strukturat e kontrollit të territorit, duke nisur nga IKMT dhe te policitë bashkiake.

“Ashtu siç ka pasur një përshkallëzim të valës së lëvizjeve me drejtuesit nëpër bashkitë e qyteteve të mëdha ku ka nevojë për një shkundje për të kaluar në një nivel tjetër, do të ketë shtrirje të kësaj vale në strukturat e kontrollit të territorit, duke filluar nga IMT-të tek policitë bashkiake dhe strukturat e planifikimit dhe zhvillimit urban.”, u shpreh Rama.

Ai shtoi: “Kryeministri është këtu për të ‘shkundur’ edhe drejtorët që s’bëjnë punën, apo jo?”

Duke lexuar komentin e një qytetari që shkruante se përse nuk futen në burg shkelësit e ligjit, apo edhe drejtuesit dhe personat përgjegjës që duhej t’i kontrollonin ndërtimet pa leje, Rama u përgjigj: “Burgu është një adresë ku përcillet robi me prova dhe me fakte dhe përcillet nga drejtësia, jo nga Facebook-u dhe nga qeveria. Që të jemi shumë të qartë”.

Me herët, gjatë fjalës së tij kryeministri Rama bëri me dije gjithashtu se po përgatitet një rregullore kombëtare e cila do të përcaktojë me qartësi kufijtë mes interesit privat dhe hapësirës publike. Rama theksoi se veprimet nuk përbëjnë një sulm ndaj sipërmarrjes, por janë pjesë e një procesi kombëtar për vendosjen e rregullave të qarta dhe të drejta për të gjithë.

 


Video