Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Julian Nakuçi, me profesion inxhinier, pasi akuzohet se në bashkëpunim me ish-kreun e Kadastrës në Gjirokastër, Florian Taçi dhe ish-topografin e Kadastrës, Alban Memishaj kanë falsifikuar dokumente.
Më konkretisht, të tre në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar plane rilevimi dhe raporte vlerësimi pronash me licenca të falsifikuara.
Në njoftimin e shpërndarë sot nga Prokuroria e Gjirokastrës, këto licensa janë përdorur pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Gjirokastër, (ASHK-Gjirokastër), por edhe në Drejtorinë e Kadastrës në Tiranë.
Një nga këto plane ishte dhe përpilimi i dokumenteve që do të çonte qeverinë në firmosjen e dhënies me qira të 122 hektarë kullotë subjektit “FAETHON”, sh.p.k.” për ndërtimin e një parku fotovoltaik në “Stojan” të Libohovës, edhe pse toka kishte pronarë.
Lidhur me këtë projekt, më 14 shkurt 2024 qeveria kishte miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ndërtimin e centralit. Kjo pjesë toke tashmë është vendosur në sekuestro-preventive.
Ndërkohë që kontrolle janë ushtruar edhe në zyrat e kompanisë “FAETHON” në Tiranë, ku edhe është bërë sekuestrimi i dokumenteve të licensës dhe të ndërtimit të parkut fotofoltaik.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në vijim të hetimeve të procedimit penal Nr. 51 të vitit 2024, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ekzekutoi masën e sigurimit “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasit Julian Nakuçi, si person i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar më parë Florian Taçi dhe Alban Memisha, përpilonte plane rilevimi dhe raporte vlerësimi pronash, duke përdorur në dhjetëra raste licencat e falsifikuara me emrat A. T., D. H. dhe studio “Geo-Spital”.
Licenca që rezultojnë të jenë përdorur jo vetëm pranë ASHK-Gjirokastër, por edhe në Drejtoritë e ASHK-së në Tiranë.
Në kuadër të këtij procedimi, gjithashtu u ekzekutua vendimi i gjykatës për vendosjen nën sekuestro preventive të një sipërfaqeje 122 (njëqind e njëzet e dy) hektar kullotë, me vendndodhje në vendin e quajtur “Stojan”, Bashkia Libohovë, e regjistruar në shkelje të ligjit nga shtetasi Florian Taçi, ish-drejtues i ASHK Gjirokastër, me qëllim favorizimin e subjektit “F”, për marrjen me qira të kësaj sipërfaqeje për 98 vjet për ndërtimin e një parku fotovoltaik, duke cenuar të drejtat e pronësisë së disa shtetasve.
Për këtë qëllim u ushtrua kontroll në zyrat e subjektit “F” në qytetin e Tiranës, ku u bë e mundur sekuestrimi i dokumenteve që kanë të bëjnë me pajisjen me licensë për ndërtim parku fotovoltaik.