
Forcat RENEA kanë ekzekutuar ditën e premte në fshehtësi të plotë dhe larg syrit të publikut urdhrin e nxjerrë nga SPAK për arrestimin e Elton Goskovës, emër i njohur i botës së krimit në qytetin e Korçës.
Goskova njohur ndryshe edhe si “Reqi i Korçës” është ndaluar në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”. 48-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me grupet që ekzekutuan në atentate Vajdin Lamajn, Klodian Saliun dhe Artan Arsin.
Urdhri i SPAK për ndalimin e tij është bërë pas marrjes prej një viti të dëshmive të një të penduari të drejtësisë, që ka përmendur edhe emrin e Elton Goskovës. Goskova, sipas dyshimeve të SPAK, është përpjekur që të prishte provat dhe dëshmitarët në procesin gjyqësor kundër Emiljano Shullazit, Lulzim Berishës dhe Viktor Ymerit për tre vrasjet e mësipërme.
Sipas Report TV, kontrolle janë ushtruar në Korçë, Pogradec si dhe Tiranë. Elton Goskova është ish-anëtarë i bandës famëkeqe '5 dyqane' më 1997 në qytetin e Korçës. Elton Goskova është arrestuar në Itali, vite më parë për shfrytëzim prostitucioni.
Pak ditë më parë SPAK përfundoi hetimet për vrasjet e bujshme të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ndërsa grupi i Emiljano Shullazit është dërguar për gjykim. Mes të pandehurve për të cilët SPAK i kërkon gjykatës të dënohet është edhe Luftar Reçi, i njohur si bashkëpunëtori drejtësisë, i cili me rrëfimet e tij ka zbardhur disa krimet të bëra nga grupi kriminal.
Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taulla, akuzohen se kanë kryer “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal
Ndërsa të shpallurit në kërkim janë Lulzim Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj, që akuzohen për “Vrasje me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Për Indrit Rusin rëndon akuza e “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Luftar Reçi akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj 7 të pandehurve rrezikojnë dënime nga 25 deri në burgime të përjetshme, ndërsa atentatet e vitit 2005 më 26 dhe 27 shkurt ndodhura në Durrës dhe Tiranë i morën jetën Klodian Saliut, Osman Trumës dhe Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit. SPAK ka regjistruar çështjen ndaj këtyre personave në tetor të 2021 dhe në 7 dhjetor Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.
I penduari Luftar Reçi ka dëshmuar se si u përgatit e gjithë ngjarja e ekzekutimit në makinë të Klodjan Saliut në aksin Durrës-Tiranë nga Lul Berisha dhe kunati i tij Plaurent Dervishaj, të cilët ndodhen në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa ka treguar se Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi kanë bashkëpunuar për të ekzekutuar me tritol Vajdin Lamajn, sipas dëshmisë se të penduarit Luftar Reçi ka qenë Viktor Ymeri, i cili nga burgu ka gjetur personin që do të kryente ekzekutimin për llogari të Shullazit.