Ka reaguar mbi incidentin e sotmë, Ermira Kaçaçi, nëna e 31-vjeçarit Gert Shehu i cili goditi me grusht liderin e opozitës, Sali Berisha para protestës.
Ajo hedh poshtë akuzat se djali i saj është agjent krimesh apo i lidhur me policinë, teksa konfirmon se djali i saj ka çrregullim bipolar dhe mjekohet prej 5 vjetësh.
“Ai nuk është as agjent, as ka lidhje me policinë. Është i sëmurë me çrregullim bipolar, ka epikrizë, mjekohet prej 5 vjetësh. Nuk e dija ku ishte. Në mëngjes e lashë të qetë, i thashë rri në shtëpi, sikur ta parandjenja. Ka qenë 2 herë në urgjencë të psikiatri, 1 herë e kam çuar me polici se ka qenë keq”, tregoi nëna e 31-vjeçarit për Euronews.
Ajo tregoi se djali i saj mjekohet me medikamentin Tegretol dhe ndiqet nga mjeku Sadik Lala.
Tegretoli, është një antikonvulsant që ndonjëherë përshkruhet si stabilizues i humorit në çrregullimet bipolare. Përveç konfiskimeve dhe çrregullimeve bipolare, është gjithashtu e përshkruar për lehtësimin e dhimbjeve në nevralgjinë trigeminore.