Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish shefin e Komisariatit Arjan Tasen, i akuzuar për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia teksa drejtonte gomonen në plazhin e Potamit në Himarë.
Në seancën gjyqësore, Tase nuk ka kundërshtuar masën e sigurisë dhe i ka kërkuar falje familjes së të miturës dhe policisë së Shtetit. “Ngushëllime familjarëve, falje policisë së shtetit”, ka thënë Tase.
Gjithashtu në dëshminë e tij ka thënë se nuk donte të ndodhte, por nëse do të rrotullonte skafin në anën e kundërt, mund të kishte vrarë familjen e tij pasi në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët.
"Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrësesi, por fati im i keq.
Në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time. Nuk doja të ndodhte. Pashë që kishte dallgë, po qëndroja pak larg njerëzve”, tha Tase.