Një xhami e re në qendër të Korçës? Reagim urgjent i Myftinisë: Mos mashtroni për qëllime elektorale, kijeni frikë Allahun

23 April 2023, 09:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një xhami e re në qendër të Korçës? Reagim
Premtimi

Myftinian e zonës së Korçës ka reaguar në lidhje me disa postime në rrjetet sociale, ku kërkoheshin vota për anëtarë të Këshillit Bashkiak me premtimin se do t'i kthehej komuniteti mysliman trualli  në qendër të qytetit ku ka qenë xhamia dikur, para se të prishej nga sistemi komunist dhe premtohet dhe se aty do të ndërtohet një xhami e re.

Pas shumë vitesh tentativash, Myftinia e Korçës nuk ka arritur dot ta rimarrë atë pronë, edhe pse në vitin 1996 është njohur nga gjykata, teksa në postimin e saj sqaron arsyet pse ende nuk është marrë kjo pronë dhe thekson se sërish ata nuk kanë hequr dorë totalisht.

Por, Myftinia e Korçës distancohet nga postimi ku premtohet kthimi i asaj prone dhe ndërtimi i një xhamie të re aty, pasi sipas saj, për të kërkuar atë gjë nuk është e nevojshme që të jesh në Këshillin Bashkiak. Në një reagim në rrjetet sociale thuhet se Korça ka shumë nevojë për një xhami të re, sidomos lagjet pranë stadiumit, dhe se ata po mundohen për këtë gjë, edhe pse e theksojnë se është shumë e vështirë për të gjetur prona të lira dhe për t'i blerë.

Në lidhje me postimin ku premtohej një xhami e re në qendër të qytetit, Myftinia e Korçës e konsideron si një mashtrim elektoral, teksa iu bën thirrje që të kenë frikë Zotin.

"Individët që bëjnë postime të tilla në rrjetet sociale, luajnë me ndjenjat e sinqerta të besimtarëve, duke i mashtruar me montazhe xhamie, për të cilën nuk ka ndonjë projekt të tillë, se nëse u japin atyre votën do të ndërtohet xhamia, duhet të kenë frikë Allahun për mashtrimin që bëjnë për qëllime elektorale. Myslimanët janë të fuqishëm kur ka bashkëpunim të sinqertë me institucionin, kur kërkesat e tyre i bazojnë në ligj dhe argumente ligjore, jo duke bërë pazare dhe presione politike të pa bazuara në ligj, gjë e cila sjell edhe mos realizimin e kërkesave ku më pas kërkojnë vetëm fajtorë." thuhet në postimin e Myftinisë së Korçës.

Aktualisht qyteti i Korçës ka dy xhami, "Iljaz Bej Mirahorin" e cila ndodhet pranë Pazarit të Ri dhe Xhaminë e Re.

Reagimi i plotë:

SQARIM

Myftinia e Zonës Korçë, pas shumë pyetje dhe interesimeve te besimtarëve mbi një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet një montazh xhamie ne qendër te qytetit dhe ku u kërkohet vota e tyre për tu ndërtuar ajo xhami, ne respekt te përfundimit te Muajit te Madhërueshëm të Ramazanit, sqaron besimtarët si vijon:

Në fillim të Muajit të Ramazanit, Myftinia e Zonës Korçë, duke marrë shkas nga situata para zgjedhjeve vendore dhe lëvizjet brenda radhëve të besimtarëve, që synojnë marrjen e votës se tyre, bëri disa sqarime dhe paralajmërime, ku ngriti shqetësimin edhe për fitnet që priten në mesin e besimtarëve gjatë kësaj periudhe. Fatkeqësisht, para disa ditësh, pikërisht në Natën e 27-të të Ramazanit, kur besimtarët ishin të preokupuar për të kryer sa me mirë adhurimet e tyre, me shpresën se ajo natë mund të ishte Nata e Kadrit, përballen me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqej një montazh xhamie dhe ku kërkohej vota e tyre për tu ndërtuar.

Ne jemi të paqartë, se si do të kërkojnë të ndërtojnë xhaminë, pa pasur asnjë kontakt, koordinim dhe bashkëpunim me Myftininë, sepse sipas ligjit askush nuk mund të ndërtojë xhami pa lejen dhe autorizimin e Komunitetit Mysliman te Shqipërisë.

Myftinia e Zonës Korçë, duke qenë pranë besimtarëve dhe shqetësimeve te tyre, ndan më ta shqetësimin se, në qytetin e Korçës duhet një xhami e re. Madje një nga vendet ku besimtarët e kanë më të nevojshme është zona afër stadiumit te qytetit deri te “Varret e francezëve”, pasi ka shumë besimtarë dhe detyrohen të vijnë nga atje për tu falur në xhamitë aktuale të qytetit. Problemi i ndërtimit të xhamive lidhet drejtpërdrejt me posedimin e një trualli në pronësi. Gjetja e një trualli të lirë është mjaft e vështirë dhe kushton shumë. Gjithsesi, ne jemi ende në kërkim dhe mirëpresim ndihmën e besimtareve në gjetjen e një trualli të përshtatshëm në atë zonë.

Ndërsa, në lidhje me xhaminë në qendër të qytetit, prej më shumë se një dekade është ngritur një diskutim për një xhami të re që i duhet besimtarëve të qytetit të Korçës. Ideja ka qenë që ajo të ndërtohet, pikërisht aty ku ishte dikur, në qendër të qytetit, para se të prishej nga sistemi komunist me justifikimin e rregullimit të planit të qytetit. Pas viteve ’90, kur u lirua besimi fetar, Myftinia Korçë e kërkoi atë pronë, e cila në vitin 1996 u njoh nga gjykata, por nuk u kthye fizikisht dhe ju la për kompensim monetar, me arsyetimin se është lulishte publike e qytetit. Edhe sot funksionon si e tillë dhe nuk kemi prova dhe argumente ligjore për ta rihapur çështjen ne gjykatë. Një pjesë e truallit është zënë nga rruga dhe trotuari, ndërsa pjesa e mbetur është me pak se 200 m2. Në vitin 2016, Myftinia e zonës Korçë i ka dërguar një kërkesë Këshillit Bashkiak Korçë, ku i kërkon që ajo sipërfaqe e cila është ne inventarin e bashkisë ti kalohet Myftinisë, e cila me pas do të përdorej për ndërtimin e xhamisë dhe të kthehej identiteti historik.

Në vitin 2017, Këshilli Bashkiak Korçë, sjell përgjigje ku shkruan se dhënia e asaj kësaj pronë me status lulishte, nuk është në kompetencën e saj, për shkak të një vendimi qeveritar mbi atë pjesë te qytetit. Shkresa ne fjalë që po e postojmë, i është përcjellë edhe besimtareve të cilët kishin shpresë se ai vend mund te rikthehej ne xhami.

Pavarësisht sqarimit ligjor nga shkresa në fjalë, individë të caktuar vazhdonin të mbanin të ndezur debatin, duke ju thënë besimtarëve se përsëri ishte e mundur dhe kjo nëse votohej dikush prej tyre si anëtar i këshillit bashkiak. Edhe pse u morën 2 mandate për këshillin bashkiak dhe kaluan 8 vite, nuk ju dha ndonjëherë përgjigje besimtareve, se përse ata nuk kishin bërë asgjë për ta realizuar premtimin për ndërtimin e xhamisë.

Megjithatë, për përcjelljen në këshillin bashkiak të një kërkese, Myftinia e zonës Korçë nuk ka pasur ndonjë pengesë ligjore dhe nuk ka qenë domosdoshmëri prania e një këshilltari bashkiak nga radha e besimtareve. Po ashtu, nuk janë të mjaftueshme 2-3 mandate, për të marrë votat e këshillit bashkiak nëse do të duhen, pasi çështje të tilla kërkojnë vullnet më të gjerë politik dhe jo vetëm.

Që nga momenti i ardhjes së shkresës në fjalë, nga kryetari i këshillit bashkiak, Myftinia i ka sqaruar edhe besimtaret edhe individët që përsëri insistonin mbi këtë kërkesë se, ne këto raste duhen përdorur format e tjera të ligjshme, ku me e rëndësishmja është blerja e një trualli dhe kërkesa sipas ligjeve ne fuqi për tu pajisur me leje ndërtimi, pasi deri tani në asnjë rast, kërkesat e Myftinisë për leje ndërtimi duke qenë të pajisur me certifikatë pronësie nuk janë refuzuar.
Vazhdimisht ka pasur diskutime që shtëpia, në gjendje të rrënuar afër truallit të xhamisë, ti kërkohej bashkisë ta shpronësonte dhe t’ia vinte ne dispozicion Myftinisë për ndërtimin e xhamisë. Edhe për këtë është sqaruar se, me sa ne jemi interesuar në hipoteke, ajo pronë rezulton të jetë private e me shumë pronarë dhe Këshilli Bashkiak nuk ka të drejtë të shpronësojë një pronar te ligjshëm, vetëm ne rastet ku ajo është për një vepër publike si shkollë, çerdhe, ambulancë, spital ose rrugë. Me sa dimë ne objektet e kultit nuk hyjnë ne këtë kategori. Por, nëse ne e gjejmë gjuhën e përbashkët me pronaret e objektit, ta blejmë dhe te bëhemi pronar te truallit, atëherë situata thjeshtohet. Përgjigja nga disa individë që vazhdojnë të insistojnë, ishte ende më e rënde, “Ju jeni me ne, apo kundra nesh?”. Ne përsëri u kemi sqaruar se ne jemi institucion, për çdo kërkesë tonën i referohemi ligjit dhe po në të njëjtën formë punojnë edhe institucionet e tjera.
Sidoqoftë, Myftinia e Zonës Korçë nuk ka reshtur se kërkuari mundësi për të kontaktuar me pronaret dhe të shikohet mundësia e blerjes së truallit deri ne fund të rrugës. Për shkak se shumica e pronareve jetojnë jashtë vendit, ka probleme mes tyre për te gjetur vullnetin për tu bërë bashkë e për ta shitur ose probleme të tjera me dokumentacionin, nuk ka qenë e mundur arritja e një rezultati nga negociatat. Madje edhe këto ditë ka pasur takime me trashëgimtarë të truallit ne fjalë. Në momentin që do të ketë diçka konkrete për çështjen e blerjes, ne do ti drejtohemi besimtareve kudo që ndodhen, për të mbledhur kontribute dhe ndihmuar për plotësimin e shumës. Një nga format që mendojmë është edhe hapja e një nisme në “gofundme”, ku besimtarët në çdo vend të botës mund të kontribuojnë.

Individët që bëjnë postime të tilla në rrjetet sociale, luajnë me ndjenjat e sinqerta të besimtarëve, duke i mashtruar me montazhe xhamie, për të cilën nuk ka ndonjë projekt të tillë, se nëse u japin atyre votën do të ndërtohet xhamia, duhet të kenë frikë Allahun për mashtrimin që bëjnë për qëllime elektorale.

Myslimanët janë të fuqishëm kur ka bashkëpunim të sinqertë me institucionin, kur kërkesat e tyre i bazojnë në ligj dhe argumente ligjore, jo duke bërë pazare dhe presione politike të pa bazuara në ligj, gjë e cila sjell edhe mos realizimin e kërkesave ku më pas kërkojnë vetëm fajtorë.

MYFTINIA E ZONËS KORÇË

Një xhami e re në qendër të Korçës? ReagimNjë xhami e re në qendër të Korçës? ReagimNjë xhami e re në qendër të Korçës? ReagimNjë xhami e re në qendër të Korçës? Reagim



Video