Elbasani, “kryeqyteti” i Ditës së Verës është përgatitur edhe këtë vit të presë mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja ka zbuluar disa prej organizimeve në qytet, duke nisur me një koncert të madh në qendër të qytetit, me panairin e gatimeve dhe produkteve vendase si dhe me konkursin e ballokumeve.
Në emisionin “Breaking” në Top News, Llatja i ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen festës së Ditës së Verës në Elbasan.
“Do të ketë një koncert me këngëtarët më në zë që do të mbahet në qendër të qytetit. Do të ketë aktivitete të ndryshme si dhe një panair i madh. Kemi pasur një fluks të madh të prenotimit të hoteleve. Gjithashtu ka pasur një kërkesë të madhe, si dhe prenotime të shumta për ballokumet e famshme të Elbasanit.
Doja t’i ftoj të gjithë qytetarët të vijnë në Elbasan, asgjëkundi nuk kalohet Dita e Verës si në Elbasan. Një mundësi e mirë të njiheni edhe me kuzhinën dhe recetat origjinale të Elbasanit. Do të kemi gjithashtu konkursin e ballokumeve. Elbasani këtë vit është për të gjithë, është për të rinjtë, fëmijët, të moshuarit”, tha Llatja.