Nën hetimin e Spak, pezullohet nga detyra anëtari i KPA-së, Ardian Hajdari

8 February 2022, 13:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nën hetimin e Spak, pezullohet nga detyra anëtari i KPA-së,

Mbledhja e Gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ka vendosur të hënën më 7 shkurt të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari.

Hajdari është pezulluar pasi është marrë i pandehur nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.

Më 24 qershor 2020, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”.

Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë vetingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla.

Daci u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit Ad Hoc se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17 vjeçare si avokat.

Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

 


Video