Dita e Flamurit është festuar edhe në Preshevë së bashku me Kosovën. Në Komunë është vendosur flamuri shqiptar nga kreu i këtij institucioni, Shqipërim Arifi.
Por sipas gazetarit, Gazmir Raci, shteti serb nuk e lejon këtë akt patriotik dhe pritet të ketë gjobë për kryekomunarin Arifi. Ai u shpreh se qeveria e Shqipërisë duhet t’i dalë në krah Preshevës për të negociuar me Serbinë përdorimin e simboleve kombëtare.
“Sot është vendosur flamuri, në ndërtesën e bashkisë dhe është e jashtëligjshme. Shteti serb do e dënojë me gjobë. Këtu, Shqipëria duhet të ndërhyjë dhe të komunikojë me shtetin serb. Nuk mund të kemi standarde të dyfishta dhe mirëpres që kjo festë të reflektojë që duhet t’i qasemi më shumë Preshevës se ende nuk kanë të drejtë të vendosin flamurin kombëtar. Ka disa vite që kryetari i komunës së Preshevës dënohet më gjobë dhe i mohohet kjo e drejtë themelore”, tha gazetari në një intervistë për Report Tv.