Ndryshimet, mësuesit që dalin në pension mund të vazhdojnë punën deri në përfundimin e vitit mësimor

9 June 2023, 20:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndryshimet, mësuesit që dalin në pension mund të
Evis Kushi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka bërë me dije ditën e sotme disa ndryshime që vijnë me kontratën e re kolektive të punës për punonjësit e arsimit parauniversitar.

Në një postim në rrjetet sociale, Kushi njofton se një prej ndryshimeve është fakti që çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie pavarësisht nëse është fillim apo fundviti shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore.

Postimi i plotë:

Finalizuam me sukses negociatat për nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Punës për punonjësit e arsimit parauniversitar me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, kontratë e cila vjen me disa risi në interes të mësuesve por edhe të nxënësve.

Tashmë çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj.

Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie.

Mësuesit e cilësuar si "invalidë pune”, jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP.

Normë mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë përfitojnë edhe Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar.

Gjithashtu, për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.


Video