
Kardiologu Taulant Gishto këtë të martë ka komentuar në lidhje me pasojat që shkakton Covid tek pacientët sidomos ata me probleme zemre.
Mjeku është shprehur se nuk është vetëm Covid ai që shkakton probleme të zemrës, por janë dhe medikamentet që përdoren për shërimin e sëmundjes.
Sipas mjekut një ndër problemet kryesore është hipertensioni që është i dukshëm tashmë dhe te pacientët me moshë të re.
Ndërsa për fëmijët ai ka theksuar se fatmirësisht Covid nuk ka pasoja dhe nuk sjell asnjë problem kardiovaskular.
“Të gjithë variantet e Covid kanë problemet e tyre në popullatë, por Omicron është një ndër variantet që është më i përhapur dhe rrit dhe numrin e komplikacioneve në popullatë.
Preket cipa e zemrës, perikardi është ndër më të shpeshtat. Një miokardit shoqërohet me lodhje, kemi marrje fryme, dhimbje kraharori dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Ndërkohë nëse kemi pacientë që kanë qëndruar për 2-3 javë shtrirë kemi dhe shfaqjen e aritmisë. Një person që ka qëndruar shumë kohë shtrirë duhet të ngrihet gradualisht. Mbajtja e frymës është një ndër pjesët që duhet të konsultohet patjetër me kardiologët.
Pacientët post Covid vuajnë nga hipertensioni kemi pasuar dhe pacientë të moshës 35 vjeç që ka pasur probleme me tensionin. Covid shkakton ndryshimin e sistemit nervor parasimpatik dhe simpatik që ndikon në rritjen e tensionit. Nuk është thjesht stresi që çon në shfaqjen e tensionit te moshat e reja por janë faktorë organikë më të thellë.
Kortizoniku ndikon jo vetëm te diabeti por dhe tek tensioni, nëse një person nuk vuante nga tensioni me një përdorim të tij pacientët shkojnë në stadin e tretë të tensionit dhe gjithashtu shkaktohet shumë aritmi. Studimi ka treguar se në sëmundjet e zemrës veçanërisht te aritmitë nuk ndikon vetëm Covid por edhe kortizonikët që përdoren, ndaj është e rëndësishme që këta pacientë duhet që përveç infeksionistit, Epidemiologut dhe mjekut të familjes të konsultohet herë pas here dhe me mjekun kardiolog. Covidit mendoj se po i vjen fundi avash avash dhe në çdo virozë pacientët që kanë probleme me zemrën kanë vuajtur, çdo virozë i jep pasojat e tyre, varianti i Covid Omicron po bën një vaksinim biologjik të popullatës”, ka thënë mjeku.