Kolegji i Apelimit rikthen në detyrë prokurorin e Tiranës

1 October 2025, 21:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kolegji i Apelimit rikthen në detyrë prokurorin e Tiranës
Milan Laskaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ka rikthyer në detyrë prokurorin e Tiranës, Milan Laskaj.

Me vendimin e marrë në datë 01.10.2025, trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Sokol Çomo, Ina Rama, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj, ka pranuar ankimin e subjektit të rivlerësimit kundër vendimit të Komisionit nr. 748, datë 27.03.2024.

Në përfundim të shqyrtimit në dhomë këshillimi, Kolegji ka vendosur në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin në detyrë të Milan Laskajt, duke i dhënë kështu efekt të menjëhershëm këtij vendimi.

Njoftimi i plotë i KPA

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 22/2024, datë 07.06.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Milan Laskaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 748, datë 27.03.2024.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 748, datë 27.03.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Milan Laskaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, më datë 01.10.2025”, thuhet në njoftimin e KPA.

Milan Laskaj ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror në Tropojë, dhe më pas ka punuar në Prokuroritë e Elbasanit dhe Lezhës, para se të transferohej në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.


Video